Republika Çeke merr sot presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, në një kohë me ”mot të keq” për Evropën, kur të gjithë sytë janë kthyer nga Ukraina.
”Kjo presidencë, të cilën çekët e marrin nga Franca dhe do t’ia kalojnë Suedisë, nuk është planifikuar për mot të mirë, është planifikuar për mot të keq”, paralajmëron Pavel Havlicek, nga Instituti për Çështjet Ndërkombëtare, me qendër në Pragë.
Të premten, qeveria çeke do të presë komisionerët evropianë, në një kështjellë, për bisedime dhe më pas për një koncert, në këtë vend me 10,5 milionë banorë, i cili u bashkua me BE-në në 2004-n.
Praga ka premtuar se do të vendosë ndihmën për Ukrainën në qendër të presidencës së saj, nga kriza e refugjatëve në rindërtimin e vendit në luftë, por edhe sigurinë energjetike evropiane.
Republika Çeke, një mbështetëse e fortë e sanksioneve kundër Rusisë brenda Bashkimit Evropian, ka pranuar rreth 400 mijë refugjatë ukrainas që nga fillimi i konfliktit, në fillim të vitit 2022 dhe ka ofruar ndihmë financiare dhe ushtarake.
Kryeministri i djathtë Petr Fiala, një ish-analist politik, i cili bashkëshkroi një libër mbi BE-në, kohët e fundit tha se do të përpiqej të organizonte një samit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, oferta e të cilëve për në BE e promovuar nga Praga dhe vende të tjera të Evropës Lindore ka ngecur, do të jetë gjithashtu në qendër të vëmendjes.
Por ky samit, i cili do t’i propozonte Ukrainës një lloj plani Marshall, do të mbahet vetëm nëse lufta përfundon.
Drejtori i Universitetit të Nju Jorkut në Pragë, Jiri Pehe e konsideron këtë projekt jorealist.
“Konflikti vështirë se do të përfundojë para përfundimit të presidencës çeke. Çekët thjesht do të përpiqen të organizojnë një samit për Ukrainën dhe të bindin të tjerët që të vazhdojnë të ndihmojnë këtë vend”, tha Pehe.
Pehe thotë tutje se çekët janë në një pozicion të keq për të udhëhequr një debat mbi rimëkëmbjen ekonomike ose sigurinë e energjisë, sepse, përballë inflacionit të lartë, vendi ende nuk është anëtarësuar në zonën euro dhe varet nga energjia bërthamore, e refuzuar nga disa anëtarë të BE-së, përfshirë Gjermaninë.
”Vështirë se mund të ofrojë lidership në këto fusha”, kritikon Pehe.
Çekët janë tradicionalisht euroskeptikë dhe një sondazh i marsit nga agjencia STEM tregon se vetëm 36% e tyre janë të kënaqur me BE-në.
Qeveria e Fiala është më pak euroskeptike se disa nga paraardhëset e saj.
Por, analistët vënë në dyshim aftësinë e tij për t’u distancuar nga Budapesti dhe Varshava, me të cilat ai ka lidhje të ngushta brenda grupit të Vishegradit, i cili përfshin gjithashtu Sllovakinë.
Hungaria dhe Polonia kanë mosmarrëveshje me Brukselin për shkak të pozicioneve të tyre mbi çështjen e shtetit të së drejtës.
Nënkryetarja e Këshillit Evropian, Vera Jourova, e cila është çeke, kohët e fundit i kërkoi qeverisë të mbajë një qëndrim të qartë ndaj Hungarisë dhe Polonisë gjatë presidencës.
”Nuk shoh se si Republika Çeke mund të ketë një këndvështrim më kritik ndaj tyre”, thotë Pehe.