Stefano Pioli ka insistuar që Milani ka gjithçka që i duhet për të qenë në garë për titullin e Serie A, pas fitores së mbrëmshme kundër Sampdorias me rezultat minimal 1:0.
Milani e filloi sezonin e ri 2021/22 në Serie A me fitore minimale 1:0 kundër Sampdorias në stadiumin “Luigi Ferraris”, ku golin e vetëm në ndeshje e shënoi Brahim Diaz në minutën e 9’.
Trajneri i Milanit, Pioli ka thënë pas ndeshjes që është tejet i kënaqur me lojtarët e tij dhe paraqitjen e tyre në ndeshjen e parë të Serie A.
“Jam tejet i lumtur që kam fituar dhe ta vazhdojmë ëndrrën drejt qëllimit që kemi. Më pëlqeu mënyra se si ekipi e interpretoi këtë ndeshje. Gjithmonë ishim në kërkim të golit dhe ky është mentaliteti i duhur për ne. Përveç lëndimit të Franck Kessie, e dija që jemi përgatitur në mënyrë të mirë. Jemi duke u shndërruar në një skuadër të fortë me mentalitet garues. Kemi shumë mënyra të ndryshme për të luajtur. Kemi balancë të mirë tani. Nuk më pëlqejnë limitimet. E di që jam trajner i një skuadre të fortë. Vetëm mendoni lojtarët të cilët u paraqitën kundër Sampdorias. Ndoshta fjala e duhur është që jemi të gatshëm, ku është Milani më i gatshëm ndonjëherë”, shtoi trajneri i Milanit.