Edicioni garues 2021/22 i Superligës së Kosovës në futboll po bëhet gjithnjë e më interesant pasi shumë skuadra janë të përfshira direkt në luftën për titullin kampion.
Tashmë kur janë zhvilluar 14 ndeshje, ndërmjet vendin të parë dhe vendit të pestë janë vetëm pesë pikë diferencë.
Skuadra e Gjilanit e kryeson tabelën me 25 pikë, aq sa ka edhe rivali lokal i tyre, Drita në vendin e dytë. Ballkani dhe Llapi mbajnë pozitat tre dhe katër më 24, përkatësisht 21 pikë, kurse Drenica renditet e pesta me 20 pikë.
Ky dallim shumë i vogël në pikë e bën shumë interesant këtë edicion garues dhe java e 15-të garanton spektakël të vërtetë me ndeshjen që janë në program.
Vëmendja kryesore do të jetë në Gjilan, aty ku do të ballafaqohen pikërisht dy liderët e tabelës, Gjilani dhe Drita në derbin e zjarrtë lokal. Kjo sfidë zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 13:00 në stadiumin e qytetit.
Llapi që po vazhdon me formën shumë të mirë do të ndeshet me Drenicën, kurse Ballkani e pret Malishevën në Suharekë.
Këto janë të gjitha ballafaqimet e xhiros së 15-të në Superligën e Kosovës:
E martë:
Dukagjini-Ulpiana
Prishtina-Feronikeli
E mërkurë:
Drenica-Llapi
Ballkani-Malisheva
Gjlani-Drita