Në Muzeun Historik Kombëtar ndodhet këndi i Nënë Terezës, ku ruhen disa nga objektet e saj si dhe fotografi nga aktiviteti i saj.
Këto ditë të para të shtatorit, ditë gjatë të cilave shënohet edhe 6-vjetori i shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, vëmendja e atyre që vizitojnë Muzeun Historik Kombëtar përqendrohet pikërisht tek ky kënd.
Ndonëse objektet janë të pakta ky kënd tërheq kërshërinë e vizitorëve me anë të stendave që përmbajnë foto nga aktiviteti bamirës i misionares së madhe.
Ndër objektet e ekspozuara bie në sy një kryq, në të cilin paraqitet Krishti i kryqëzuar si edhe një libër me urata kishtare, që titullohet “Të lëvdojmë së bashku Zotin”.
Këto sende kishtare Nënë Tereza, në vitin 1991, ia ka dhuruar patër Zef Pllumbit. Ky i fundit më 1997, ia dhuroi Muzeut Historik Kombëtar.
Objekt me rëndësi është ruzaria e Nënë Terezës, me të cilës ajo lutej vazhdimisht për shpëtimin e botës. Këtë ruzare Nënë Tereza ia pati dhuruar motër Terezinës, më 10 mars 1991.
Tjetër objekt është një peshqir, të cilin e ka përdorur Nënë Tereza gjatë ditëve të qëndrimit të saj në shtëpinë e Tonin Shpatit. Në muajin prill të vitit 1991, Nënë Tereza vizitoi kishën Françeskane në Tiranë, ku ndër të tjera ka dhuruar një ujëbekore si edhe pesë gota bronzi me motive floreale.
Këto relike të bamirëses së madhe Patër Zef Pllumbi më 14 nëntor 1997 ia dhuroi Muzeut Historik Kombëtar./atsh/