Nesër me fillim nga ora 18:45 do të zhvillohet ndeshja mes Galatasarayt dhe Lazios, e vlefshme kjo për fazën e grupeve në kuadër të Ligës së Evropës.
Skuadra italiane Lazio dhe ajo turke Galatasaray gjenden në Grupin E, së bashku me dy skuadrat e tjera si Lokomotiv Moscow dhe Marseille.
Para këtij takimi, tani disa nga mediat italiane janë duke raportuar që trajneri i Lazios, Maurizio Sarri do të bëjë disa ndryshime taktike në formacion, ku edhe pritet që repartin e sulmit do ta udhëheqë sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi.
Muriqi, i cili fitoi betejën që të jetë sulmuesi rezervë i dyshes Ciro Immobile dhe Felipe Caicedo këtë verë, do të rikthehet në Turqi me shpresën për ta mposhtur Galatasarayn për herë të parë në karrierën e tij.
Sulmuesi kosovar sa ishte pjesë e skuadrës turke Fenerbahce, nuk e ka mposhtur asnjëherë Galatasarayn, ndërsa ka arritur të shënojë vetëm një gol kundër tyre.