Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka mbajtur takim me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, me ç’rast janë dakorduar të vazhdojnë bashkëpunimin për avancimin e agjendës së zhvillimit kulturor, me fokus kryeqytetin.
Në kuadër të këtij takimi, Çeku dhe Ahmeti u dakorduan që të bashkëpunojnë edhe në luftën për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Ministri Hajrulla Çeku tha se është e rëndësishme që bashkëpunimi me komunën e Prishtinës po vazhdon dhe se bashkë me Ahmetin janë dakorduar që të vazhdojnë realizimin e punëve në drejtim të avancimit të agjendës së zhvillimit kulturor në vend, me fokus Prishtinën.
“U fokusuam në çështje të kulturës, infrastrukturës kulturore, bashkëpunimit për ta avancuar agjendën e zhvillimit kulturor në Kosovë, në fokus kryeqytetin e Kosovës dhe tema tjera të interesit të përbashkët. Besoj që në fillim të bashkëpunimit, qeveri qendrore dhe komunë, do të vazhdojmë të realizojmë punët që na presin”, tha ai.
I pari i Prishtinës, Shpend Ahemti tha se janë disa projekte të përbashkëta, që janë edhe në interes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Janë disa gjëra që kësaj radhe i ndajmë si mendime të përbashkëta, që është lufta për trashëgiminë kulturore, që nuk është aspak luftë e lehtë. E di edhe ministri sa ka luftuar për këtë, për shkak se nuk është aspak luftë e lehtë për shkak të presioneve që na vijnë për të rrëzuar të vjetrën për të ndërtuar diçka të re. Këtu jemi në përputhje, do t’i koordinojmë shumë shpejt punët. Por, diskutuam edhe për infrastrukturën kulturore, teatrot, sallën koncentrale, këto synojmë t’i funksonializojmë sa më shumë… Shumë shpejt i përmbyllim stadiumin e Prishtinës, i cili tash përdoret prej përfaqësues së kombëtares… Vazhdon bashkëpunimi jonë për Bienalen, ku do të kemi mbi 200 mijë vizitorë në nj periudhë 6 mujore dhe vazhdon bashkëpunimi i ngushtë me ministrinë në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur”, u shpreh ai.