Situata me Covid-19, bashkëpunimi në mes të ty Qeverive, respektivisht Ministrive të Shëndetësisë, Universiteteve dhe klinikave të dy shteteve, kanë qenë temë diskutimi në takimin bilateral të Ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Rifat Latifi dhe Ministrit të Shëndetësisë, Kujdesit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve të Republikës së Austrisë, Johannes Rauch.
Në komunikatën për media, dërguar nga MSH-ja, thuhet se pjesë e këtij takimi ishte edhe Ambasasori i Republikës së Kosovës në Austri dhe këshilltarja e jashtme e ministrit Latifi, Lumnije Kqiku. Në këtë takim, ministri Latifi shpalosi të dhënat rreth situatës epidemiologjike lidhur me Covid-19 në Kosovë, duke theksuar rritjen e rasteve dhe menaxhimin klinik të rasteve.
Ministri Latifi kërkoi nga homologu i tij austriak Rauch bashkëpunim dhe përkrahje për të përmirësuar sistemin shëndetësor të Kosovës. Po ashtu, ministri theks të veçantë i dha bashkëpunimit në apektin e trajnimit të stafit mjekësor të Kosovës, si të mjekëve, infermierëve dhe teknikëve mjekësor si dhe shkëmbimit të ekspertëve shëndetësor, gjithashtu edhe në fushën e hulumtimeve shkencore.
“Kosova e ka popullsinë shumë të re në moshë, ndërsa mundësia e bashkëpunimit për trajnime të stafit shëndetësor dhe hulumtime shkencore është i domosdoshëm, pasi që të rinjtë tanë kanë nevojë për mbështetje të tillë profesionale”, tha Latifi.
Meqë, Austria është vend mik i Kosovës, ministri Latifi shprehu besimin se bashkëpunimi dhe mbështetja e shtetit të Austrisë nuk do të mungojë. U bisedua edhe për shtatë shtyllat dhe për 14 Qendrat e Ekselencës, me të cilat synohet transformimi i shëndetësisë në Kosovë.
Ministri austriak i Shëndetësisë, Rauch ka falënderuar ministrin Latifi për vizitën, duke i premtuar se do të bashkëpunojnë ngushtë për kërkesat që sistemi i shëndetësisë i ka në Kosovë. Ai tha se shkëmbimi i stafit mjekësor të Kosovës është i mirëseardhu, pikërisht në ato programe ku ka më së shumti nevojë.