Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka pritur sot në takim ish-futbollistin e Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana me bashkëpunëtorë, të shoqëruar nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, kryetarin Ismet Krasniqi dhe sekretarin Besim Aliti.
Në këtë takim MKRS ka bërë të ditur se është diskutuar për zhvillimet në fushën e sportit në vend, krijimin e programeve për masivizimin e sportit me fokus tek të rinjtë në shkollat fillore dhe te moshat e reja për identifikimin e talenteve të rinj. Gjithashtu për ndikimin që ka në shëndet mendor e fizik aktiviteti sportiv.
Cana me këtë rast ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me MKRS-në nëpërmjet fondacionit që ka, duke u angazhuar në zhvillimin e programeve për të rinjtë që të merren me sport sa më shumë.
Ministri Çeku falënderoi ish-kapitenin e Kombëtares së Shqipërisë në futboll për tërë kontributin e tij sa ishte aktiv në sport si dhe tani me aktivitetet e tjera në ndërgjegjësimin e shoqërisë që të merren sa më shumë me aktivitete fizike e sportive.