Klubet e Premierligës kanë vendosur që t’i zhvillojnë ndeshjet e xhiros së 20-të përkundër një numri të madh të lojtarëve të infektuar me COVID-19.
20 klubet e ligës angleze u takuan të hënën për të diskutuar se si mund të përballeshin me këtë situatë pasi gjashtë ndeshje u shtynë në vikendin e kaluar.
Shtyrja e ndeshjeve të parapara të zhvillohen gjatë Krishtlindjeve ishte një mundësi e propozuar nga disa klube, por kjo nuk u hodh në votim, andaj ndeshjet do të zhvillohen sipas programit.
Më ketë rast klubet janë këshilluar që nëse kanë 13 lojtarë në dispozicion, plus një portier, ata duhet të përmbushin lojërat e tyre.
Megjithatë, ka bisedime midis klubeve dhe autoriteteve për të hequr ndeshjet kthyese FA Cup në raundet tre dhe katër, dhe për të reduktuar ndeshjet gjysmëfinale të Kupës EFL në një ndeshje.
Javën e kaluar rezultuan 42 teste pozitive me Covid-19 në Premier Ligë në një periudhë shtatëditore, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë.