Nga data 5 maj, do ta rifillojnë mësimin 441 nxënësit e pesë fshatrave të Kamenicës sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit për Organizimin e Mësimit Alternativ të Përshpejtuar.
Inspektorët e Arsimit në koordinim me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe drejtorët e këtyre shkollave, kanë filluar përgatitjet e duhura për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor dhe pritet nga komuna e Kamenicës të zbatojë në tërësi vendimin.
Mësimi të organizohet për nxënësit e SHFMU “Hasan Prishtina”, në fshatin Busavatë, SHFMU “Asllan Thaqi” Karaçevë e Poshtme, SHFMU “Xhelal Sopi” Petrocë, për nxënësit e Paraleles fizike në Shipashnicë e Poshtme si dhe për nxënësit e paraleles fizike në Kopernicë.
Zbatimi i këtij vendimi, sipas ministres Nagavci, nuk ka kosto shtesë për transport, pasi mësimi do të zhvillohet në shkollat ku nxënësit i kanë mbajtur më herët mësimet.
“Presim nga mësimdhënësit të jenë të gatshëm të kryejnë detyrën e tyre dhe të ofrojnë mësimdhënien për të gjithë nxënësit. Nëse dikush punon mbinormë është obligim i komunës të hartojë dhe dorëzojë raportet e detajuara. Nga ana tjetër askush nuk mund t’i pengojë mësimdhënësit gjatë procesit mësimor e as t’i penalizojë për punën që e kryejnë. Pasojat e humbjes së mësimit për nxënësit fatkeqësisht janë evidente dhe të shumëfishta. Angazhimi i të gjithë neve, secili vendim e veprim duhet të jetë në interesin më të mirë të fëmijëve”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ndryshe, plani për riorganizimin e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta i njohur ndryshe edhe si ‘reforma’ në arsim, nuk u përkrah nga shumë banorë të Kamenicës. Me vendimin për riorganizim parashihej mbyllja e 19 shkollave në këtë komunë.
Pavarësisht kundërshtimeve të banorëve kryetari Qëndron Kastrati nuk është zmbrapsur nga kjo ide e tij. Ai ka marrë tri vendime, një në gusht të viti 2019, një në janar dhe një në shtator. Mirëpo asnjë nga këto vendime nuk janë respektuar, për çka edhe ka pasur protesta për të cilat është dashur intervenimi i policisë.
Komisioni për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Avokati i Popullit si dhe ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj patën kërkuar nga kryetari që të pezullojë këtë reformë.
Për këtë Komuna e Kamenicës kishte paditur 23 prindër, me arsyetimin që nuk janë kujdesur për shkollimin e detyrueshëm të fëmijëve të tyre, padi e cila më vonë është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Gjilan.