Avokatët mbrojtës të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kërkuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë që sa më shpejtë ta dorëzojë dosjen paraprake të lëndës, në mënyrë që ata të mund të përgatiten për hetimin.
Këtë kërkesë e paraqiti avokati i Veselit, Ben Emmerson, i cili kërkoi që dorëzimi i kësaj dosjeje të ndodhë në fillimit të prillit.
“Juve do iu sugjeroja që të jepni udhëzime që ju besoj ua kanë dhënë në procesin e konfirmimit në formën që parashikojnë rregullorja dhe kjo dosje paraprake t’i jepet mbrojtjes në formë fillestare në fillim të prillit. Dhe kjo sigurisht mund të ndryshohet kur prokuroria siguron prova të tjera dhe unë po e paraqes këtë propozim për ta vendosur në agjendë“, tha ai.
Prokurori Special, Jack Smith kërkoi që dorëzimi i dosjes paraprake të lidhet me datën e gjykimit, pasi kjo sipas tij rrezikon dëshmitarët. Smith tha se janë që sa më shpejtë të caktohet data e gjykimit e cila duhet të lidhet me datën e dorëzimit të dosjes paraprake.
“Janë viktimat në këtë rast, dëshmitarët në këtë rast që po presin të bëhet drejtësia dhe kanë pritur me vite për këtë. E dyta është realiteti që kemi 1 orë e gjysmë këtu dhe nuk është përmendur fare realiteti i frikësimit të dëshmitarëve, ky është realiteti i kësaj çështje dhe do të mbetet realitet dhe fakt që ka një hendek të madh në mes nxjerrjes së gjithë dokumenteve dhe datës së gjyqit, sepse kjo do të rrezikojë dëshmitarët, kjo është e vërteta dhe për këtë nuk është folur. Janë vendosur masa mbrojtëse, redaktime që iu janë bërë dokumenteve, por duhet të kuptohet që këto janë mjete për të zvogëluar rrezikun, por nuk e eliminojnë rrezikun komplet. Ne do të përdorim çdo mjet që është i mundur që kjo çështje të eci përpara dhe ne themi që data e dorëzimit të dosjes duhet të lidhet me datën e fillimit të gjykimit duke i dhënë mundësi atyre që të përgatiten dhe do të jetë një mjet menaxhimi për gjykatën në ecjen përpara. Nëse gjykata vendos kundër mbrojtjes në këtë çështje, mbrojtja ka dhënë indikacione se do t’i bëjnë qëndresë urdhrave të gjykatës. Kam frikë se mbrojtja po përpiqet ta vonojë këtë çështje, do e realizojë nëse vazhdojnë kështu. Duke pasur parasysh historinë e frikësimit të dëshmitarëve duhet ta kemi parasysh këtë kur bëjmë parashtrimet tona…Ne jemi për një gjykim sa më të shpejtë të caktohet një datë për gjykimin e cila do të lidhet me datën e dorëzimit të dosjes paraprake”, tha ai.
Në nisje të kësaj konference të tretë statusore, Prokuroria e Specializuar tha se është duke vazhduar nxjerrjen e materialeve, lidhur me dëshmitarët, ku u tha se lista do të bëhet publike për palët mbrojtëse në momentin e duhur.
Por lidhur me këtë reagoi avokati i ish presidentit Thaçi, David Hooper, i cili se tha se deri tani janë informuar për 124 dëshmitarë, të cilët Prokuroria i ka identifikuar vetëm me pseudonime. Ai kërkoi nga Prokuroria më shumë hollësira rreth listës së dëshmitarëve.
“Nga sistemet e nxjerrjes së materialeve me të cilët ne kemi punuar në gjykatat, Tribunalet tjera ky sistem këtu është më pak i dobishëm dhe ky është një problem sepse sigurisht mënyra se si bëhet nxjerrja e materialeve dhe ndihma që mund të marrësh nga materialet e tillë sidomos kur bëhet fjalë për materiale të shumta…Në këtë rast ka 124 dëshmitarë që janë bërë të njohur shumica e tyre me pseudonime, nuk na është dhënë ndonjë përmbledhje, nuk kemi as edhe pesë rreshta lidhur për çfarë do të diskutojnë këta dëshmitarë. Asnjë dëshmitar nuk është bërë i njohur bashkë me provat shoqëruese, sepse kur ka një dëshmitar duhet të ketë edhe prova të cilat lidhet me atë dëshmitar dhe jo të na lihet ne që ta lidhim dëshmitarin me dokumente të caktuara që lidhen me të. Mungojnë hollësitë në lidhje me tabelat mungojnë hollësitë dhe ZPS vazhdon të veprojë kështu sepse kështu e thotë në argumentet e tyre, mungojnë metodat lidhur me tabelat në bazë të Legal Flow janë disa pika që po t’i marrim së bashku krijojnë probleme”, tha Hooper.
Kurse, mbrojtja e Kadri Veselit, Ben Emmerson lidhur me nxjerrën e materialeve nga Prokuroria ka thënë se mund të jenë dy arsye prapa kësaj, një se ata që janë në Prokurori janë jokompetent për këtë punë, e që thotë se dyshon, dhe se e dyta është se kjo bëhet qëllimshëm vetëm për të dënuar me çdo kusht të akuzuarit.
Emmerson tha se Prokuroria i ka varrosur provat relevante në një mal provash jorelevante. Tutje ai tha sa janë rreth 34 vendngjarje të krimit dhe asnjëra prej tyre nuk është analizuar si duhet nga Prokuroria.
“Ne si mbrojtje nuk kemi pasur asnjë dosje paraprake të Prokurorisë shumë herë Prokuroria ka refuzuar të na jap dosje paraprake dhe do të na jap vetëm në momentin e fundit para gjykimit megjithëse që ajo mund të jetë gati që në maj apo qershor të këtij viti. Pra prokuroria e di se për çfarë bënë fjalë dosja e vetë sepse ata iu kanë dhënë këto dosje. Ajo që po bëjnë ata me ne është se i kanë shkarkuar të gjitha materialet në bazën e të dhënave i kanë redaktuar informacionet e rëndësishme dhe i kanë varrosur provat relevante në një mal provash dhe materiale të tjera që mund të jenë krejtësisht jo relevante. Ne si mbrojtje nuk po ankohemi kot se fakti është të ta bëjë mbrojtja punën që duhet ta bëjë, duhet ta ketë aktakuzën dhe ne duhet të shikojmë materiale të tëra për të kuptuar se çfarë po pretendon prokuroria aty dhe ka rreth 34 vendngjarje krimesh, secila prej tyre ka kronologjinë e vetë asnjëra prej tyre nuk është analizuar siç duhet nga prokuroria. Ato janë thjesht futur në një tufë materialesh të tërë dhe mbrojtja nuk është në gjendje të përgatitet ashtu siç duhet dhe të përgatisë dosjen e vetë. Ne kemi krijuar një ekip hetues i cili është i gatshëm të fillojë punën që nga fillimi i janarit dhe ne presim që do na duhet nga marsi apo mesi i prillit në mënyrë që të rindërtojmë nga materiali që na kanë hedhur për të bërë një lloj analize të çështjes të prokurorisë. Ne na duhet t’u themi hetuesve se çfarë pune të bëjnë dhe nuk e di nëse prokuroria nuk e di si ta bëjë punën dhe nuk i jep mundësi mbrojtjes ta bëjë punën si duhet”, tha ai.
Prokurorja Claire Laëson komentet e Emmerson i ka quajtur si një “retorikë”. Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se së bashku me dorëzimin e materialeve te mbrojtja, ua ka dorëzuar edhe udhëzim specifik për këto materiale.
“Mbrojtja e zotëri Veseli foli për elemente shumë të përgjithshme sa i takon volumit kaotik, sa i takon materialeve që është vënë në dispozicion pa një udhëzim. Në fakt kjo është e pasaktë është fakt që mbrojtja e zotëri Veselit dhe parashtrimet e mbrojtjes së Veselit nuk janë gjë tjetër veçse një retorikë. Ndërkohë duhet të them se është diçka që e kemi dëgjuar nga mbrojtja e zotëri Veseli në shumë konferenca të procesit gjyqësor dhe nuk duhet të tolerohet më nga kjo gjykatë. Mbrojtja në fakt është pajisur me një udhëzim specifik lidhur me materialin e nxjerr në formatin e rregullës 83(3B) që është ekzaktësisht se udhëzimi që ka marr gjykatësi i procedurës paraprake. Për më tepër materialet janë nxjerr me rregullën specifike të cilat dëshmojnë në mënyrë të qartë në qoftë se mbi materialin është mbështetur ZPS-ja”, tha ajo.
Edhe avokati mbrojtës i Rexhep Selimit dhe i Jakup Krasniqit shprehën pakënaqësitë e tyre me mënyrën se si Prokuroria po nxjerr materialet për këtë rast gjyqësor.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi nuk po marrin pjesë fizikisht në këtë seancë, por po e ndjekin atë përmes video-lidhjes.
Ish-presidenti i Kosovës, dy ish-kryeparlamentarët dhe shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, përballjen me Gjykatën Speciale e nisën në fillim të muajit nëntor kur edhe u publikuan aktakuzat ndaj tyre, nën pretendimin se të njëjtit kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ata u dërguan në Hagë dhe po mbahen në paraburgim. Në paraqitjet e tyre të para, para gjykatësit të procedurës paraprake, të gjithë u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.