Futbollisti Armend Thaçi, i cili është pjesë e skuadrës nga Superliga e Kosovës, FC Ballkani, do t’i bashkohet sot Kombëtares së Kosovës për përgatitjet e ndeshjeve kualifikuese të shtatorit.
Mbrojtësi i krahut të majtë i Ballkanit është ftuar nga përzgjedhësi i Kombëtares A, Bernard Challandes, dhe nga sot do të marrë pjesë në seancën e dytë përgatitore të “Dardanëve”.
Po ashtu, kjo do të jetë stërvitja e fundit e Kombëtares së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, para se të nisen drejt Gjeorgjisë.
Stafi i “Dardanëve” së bashku me lojtarët e grumbulluar nga Challandes do të nisen nesër në mëngjes për në Batumi, ndërsa të enjten do të zhvillojë ndeshjen e parë kundër kombëtares gjeorgjiane.