Mbreti Charles III tha para Parlamentit britanik të hënën se është “i vendosur që me besnikëri” të ndjekë shembullin e nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II, teksa shtoi se deputetët britanikë janë “instrumenti i demokracisë sonë”.
Gjatë ceremonisë në Parlament, Charles e shfrytëzoi këtë adresim për të nderuar nënën e tij dhe u zotua se do të respektojë parimet e qeverisjes kushtetuese.
“Në kohën kur ishte shumë e re, Mbretëresha u zotua se do të shërbente për shtetin dhe popullin e saj dhe të ruante parimet e çmueshme të qeverisjes kushtetuese që janë në zemër të shtetit tonë. Këtë premtim ajo e respektoi me përkushtim të madh”, tha ai para ligjvënësve.
“Ajo vendosi shembull për shërbim, të cilin, me ndihmën e Zotit dhe këshillën tuaj, jam i vendosur që ta ndjek me besnikëri”, shtoi ai.
Mbretëresha Elizabeth II, 96-vjeçare, vdiq në shtëpinë e saj në Skoci më 8 shtator. Trashëgimtari i fronit është djali i saj i madh, Charles, i cili do të njihet me emrin Mbreti Charles III./REL/