Presidenti francez, Emmanuel Macron ka zbuluar detajet e bisedës private që kishte me Kylian Mbappe para se ylli i Paris Saint-Germain të refuzonte transferimin te Real Madridi.
Mbappe ishte lidhur fuqishëm me një lëvizje në Madrid për më shumë se një vit përpara se PSG të trondiste botën duke nënshkruar një kontratë të re trevjeçare me 23-vjeçarin më 21 maj.
Ishte raportuar se Macron luajti një rol vendimtar në bindjen e Mbappes për të qëndruar në vendin e tij dhe kreu i shtetit tani ka konfirmuar se ai ishte takuar me fituesin e Kupës së Botës.
Presidenti francez ndjeu se ishte përgjegjësi e tij ta këshillonte Mbappen, i cili konsiderohet si lojtari më i talentuar i gjeneratës së tij dhe një pasuri e madhe për Ligue 1.
“Po, është e vërtetë që kam pasur një bisedë me Kylian Mbappen përpara se ai të merrte një vendim për të ardhmen e tij”, tha Macron në një konferencë për shtyp.
“Unë thjesht e këshillova atë, në një mënyrë krejtësisht joformale, të qëndrojë në Francë. Besoj se është përgjegjësia ime, si president, të mbroj vendin kur kërkohet në një mënyrë joformale dhe miqësore”.
“Unë kurrë nuk kam ndërhyrë në asnjë transferim. Ashtu si çdo qytetar tjetër, kur bëhet fjalë për çështjet sportive, unë gjithmonë dua të shoh një lojë të mirë dhe të bëj tifo për një ekip, veçanërisht, në rastin tim, për Olympique de Marseille”, tha ai.