Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërimin e dymbëdhjetë vendvotimeve në dhjetë komuna të Kosovës. Krahas kësaj në mbledhjen e sotme u vendos që votat me kusht që kanë shpërputhje dhe nuk janë respektuar procedurat të anulohen.
Ndërkohë nga përfaqësues të LVV-së, u kërkua që votat e diasporës të cilat përmbajnë dokumente me afat të skaduar, por që janë të vlefshme të mos anulohen. Derisa edhe adresuan kritika për vonesa në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj derisa i paraqiti katër rekomandime për votim, tha se nga procesimi i rregullt i materialeve zgjedhore janë 27 mijë e 249 vota me kusht, por në bazë të verifikimit në fund do të shihet sa do të jetë numri i saktë i vlefshëm i tyre.
“Nga procesimi i rregullt i materialeve zgjedhore janë 27 mijë e 249 zarfe me kusht dhe pasi të procedohen edhe këto vota me kusht të cilat janë në karantinë dhe janë në sistem, atëherë do ta dimë shifrën e saktë se sa do të jetë numri i votave me kusht. Rekomandimi i parë ka të bëjë me procedimin e materialeve nga karantina. Ka të bëjë me zarfet të cilat pas krahasimeve dhe të gjeturave në QNR rezultojnë se një zarf apo më shumë zarfe rezulton se nuk është respektuar procedura. Rekomandimi është që ato zarfe që nuk kanë nënshkrim të mos përfshihen dhe të refuzohen. Ndërsa zarfet të tjera që konfirmohen me nënshkrime të procesohen si të rregullta. Ky është rekomandimi i parë. Rekomandimi i dytë ka bëjë me gjitha materialet që pas hetimin rezultojnë se nuk kanë probleme dhe të tillat mund të procesohen si të rregullta. Ndërsa rekomandimi i tretë ka të bëjë me formularët e rezultateve që nuk mund të procesohen të rregullta për shkak se në disa raste nuk janë nënshkruar nga komisionarët. Janë disa raste që nuk janë procesuar dhe janë disa raste që ka mungesë të shiritave. Ndërsa rekomandimi i fundit ka të bëjë me rritjen e numrit të vëzhguesve në QNR”, tha ai.
Por kritika për vonesa ndaj punës së QNR-së, adresoi anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alim Rama.
“Po vërej një trend shumë të ngadalshëm të përpunimit të të dhënave. Kisha kërkuar prej sekretariatit të merr të gjitha masat që të përshpejtohen dhe rregullohet procedura në QNR. Sot procesi në vend që fillojë në orën 08:00, nuk ka filluar deri në orën 09:00-09:30. Këto procese janë tepër të ngadalshme. Së dyti kur po shoh te procesimi i formularëve ne jemi tek 55 përqind dhe kemi 120 operatorë. Kjo i bie që përafërsisht një operator në ditë nuk i kalon 1 ose 2 formularë”, tha ai.
Ndërsa, anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi kërkoi që votat e diasporës të cilat përmbajnë dokumente me afat të skaduar, por që janë të vlefshme të mos anulohen.
“Ne këtu në KQZ kemi marrë një vendim edhe në Kosovë që personat që kanë dokumente të vlefshme, por nuk kanë afat të votojnë sepse edhe unë kam dokumente të vlefshme, por pa afat. Ne nuk mundemi të bëjmë një trajtim të ndryshëm të personave që kanë votuar me postë me personat që kanë qenë këtu dhe kanë mundur të votojnë me dokumente që nuk kanë afat, por janë të vlefshme. Dmth gjitha të dhënat i përmbajnë që duhet t’i ketë një dokument, por iu ka kaluar afati për sa edhe unë nuk e di. Prandaj kisha kërkuar nga KQZ-ja që gjitha rastet që kanë dërguar votat e tyre dhe kanë dokumente paafat por janë të vlefshme, që ato mos të refuzohen. Ato kishte me qenë një diskriminim në raport me qytetarët që kanë votuar brenda, dmth s’kanë afat, por janë të vlefshme”, tha ai.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur të dielën e javës së kaluar me 14 shkurt. Ndërsa sipas rezultateve preliminare, fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.85 përqind.