Barazimi me Interin me rezultat 3-3 mund t’i kushtojë Barcelonës me eliminim të hershëm në këtë edicion të Ligës së Kampionëve.
Ishte Robert Lewandowski ai që realizoi golin e barazimit në minutën e dytë shtesë të ndeshjes, që ishte goli i dytë personal i tij në këtë ballafaqim.
Pas ndeshjes, sulmuesi polak ka thënë se dëshira e madhe e skuadrës për të shënuar po bën që të harrohet vija mbrojtëse. Sipas tij, Interi e pati shumë të lehtë të depërtonte në mbrojtjen e katalanasve dhe kjo edhe po sjell rezultate negative.
“Ne donim të shënonim gola aq shumë sa ndonjëherë harronim mbrojtjen dhe kundërsulmet e rivalëve. Interi hynte shumë lehtë në zonën tonë dhe krijonte situata ku kishte hapësira. Kemi pasur shumë dëmtime në skuadër javët e fundit, nuk është e lehtë të ndryshosh vazhdimisht formacionin, na mungon stabiliteti dhe ndoshta për këtë shfaqen ndeshje të tilla”, tha Lewandowski.
“Interi është një rival i vështirë për një sulmues. Janë pesë lojtarë që mbrojnë dhe ka edhe një mesfushor mbrojtës aty. Pastaj përpiqemi të sulmojmë me më shumë lojtarë në mënyrë që njëri prej nesh të mbulojë zonën ku krijohet hapësira. Shënuam tre gola, por po aq pësuam. Ndihemi të zhgënjyer sepse nuk arritëm të fitonim. Ndonjëherë duhet gjakftohtësi dhe qetësi për të fituar”, tha Lewandowski.