UBT News

​Kosova luan në Sevilla, Salihu: Këto janë arsyet pse pranoi Spanja

Tashmë edhe zyrtarisht është bërë e ditur se ndeshja ndërmjet Spanjës dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikimet për në Kampionatin Botëror “Katar 2022” do të zhvillohet në Spanjë, përkatësisht në Sevilla.

Njoftimi zyrtar erdhi dje nga Federata e Spanjës edhe pse ishte diskutuar shumë rreth kësaj çështje për shkak të mos-njohjes së Kosovës si shtet nga ana e Spanjës.

Në lidhje me këtë zhvillim të ri dhe shumë të rëndësishëm për sportin kosovar dhe Kosovën në përgjithësi, ka folur Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.

Ai në një prononcim për KosovaPress ka numëruar arsyet pse Spanja ka pranuar që me Kosovën të ballafaqohet në territorin e saj.

“Ka qenë normalisht presioni edhe i UEFA-së dhe FIFA-së që e kanë bërë punën e tyre. Ky është një lajm shumë i mirë dhe na vjen mirë që po i kthehemi normalitetit. Kosova po pranohet si shtet i barabartë falë punës që kemi bërë.”, tha Salihu.

Salihu më tutje duke folur për KosovaPress, ka thënë se rol vendimtar që një shtet kaq i madh si Spanja, që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të pranojë të luajë në territorin e saj kanë pasur edhe rezultatet e arritura të Kombëtares së Kosovës në ndeshjet e zhvilluara deri më tani.

“Po të mos kishim rezultate e punë, çështja e Kosovës në futboll do të kishte mbetur në heshtje, por me rezultatet e treguara, sidomos në ato 15 ndeshje pa humbje kur e gjithë Evropa dhe bota ka shkruar për ne. Pra vetëm me punë dhe me sjellje të mira i kemi arritur këto. Pra të gjitha këto kanë bërë që federata të mëdha të futbollit ta kenë fokusin tek një federatë e vogël siç jemi ne”, deklaroi Salihu.

E sa i përket stadiumit ku është caktuar të zhvillohet ndeshja, Salihu ka thënë se ai është vendim që iu takon spanjollëve, vetëm se stadiumi duhet t’i plotësojë kriteret e kërkuara nga UEFA dhe natyrisht se Federata e Spanjës i ka pasur parasysh ato.

Ndeshja Spanjë – Kosovë do të luhet më 31 mars 2021.

Exit mobile version