Është miratuar në parim projektligji për punimet nga metalet e çmuara. Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka shqyrtuar këtë projektligj, ku ministrja Rozeta Hajdari ka theksuar se me ligjin aktual ka mundësi për manipulime me përzierje të metaleve. Ajo është zotuar se me ligjin e ri do të plotësohet standardi që punimet duhet të kenë një shkallë të pastërtisë të përcaktuar. Nga takimet që ka pasur me Shoqatën e Artarëve të Kosovës ajo tha se dy kërkesat kryesore janë për vulë dhe sigurinë e tyre.
Ministrja e Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari tha se artarët janë pajtuar për vendosjen e vulës, meqë deri më tani ka pasur shumë manipulime.
“Arsyeshmëria për hartimin e projektligjit për punimet nga metalet e çmuara është përcaktim i kushteve, mënyrës dhe kontrollit të cilësisë të punimeve të punuara nga metalet e çmuara. Gjithashtu në këtë projektligj caktohen kërkesat e standardit IZO me të cilat përcaktohet shkalla e pastërtisë, përbërjes dhe mirëmbajtjes së metaleve të tjera. Pjesë prej metaleve jo të çmuara dhe jo metaleve rregullon kushtet dhe mënyrën e ekzaminimit të shënimit në harmonizim me shenjat ndërkombëtarisht të pranuara. Si dhe detyrimet mbi shpenzimet për ekzaminimin dhe shënimin”, ka thënë Hajdari.
Hajdari ka shtuar se mos-pajisja e përpunuesit në Kosovë me shenjën e përpunuesit dhe prodhuesit për punimet e tyre ka shkaktuar vështirësi në funksionimin e tregut.
Më tej, ajo ka theksuar se me ligjin aktual ka mundësi për manipulimin e përzierjes së metaleve.
“Me ligjin aktual kemi mundësi për të manipuluar me përzierjen e metaleve. Dhe me ligjin e ri pikërisht që është konform standardit IZO 9202 -2019 dhe po ashtu me vulën të cilën e aplikojmë me ligjin e ri, e kemi shmangien e hapësirës për përzierjen e metaleve të çmuara. Ne kemi laboratorë në Agjencinë e Metrologjisë”, ka shtuar ajo.
Udhëheqësja e sektorit për metale të çmuara, Sebahate Ibrahimi tha se bëjnë kontrollin e cilësisë së punimeve që janë në treg, ku për model kanë Slloveninë.
“Ne e bëjmë kontrollimin e punimeve të cilat janë në treg. Do të thotë punimet që shihen. A e kanë po atë cilësi të cilën është e paraparë me standardin 9202. Për shembull 14 karati apo 18 karati, ne e vlerësojmë a është po ajo cilësi që është e deklaruar në punim. Dhe pas kontrollit e cilësisë e vlerësojmë me shenjën shtetërore”, u shpreh Ibrahimi në këtë komision.
Anëtari i komisionit, Armend Muja ka pyetur ministren për problemet që kanë hasur që kanë bërë të mundur rregullimin urgjent.
“A mund të na tregoni se çfarë probleme keni hasur që është bërë i domosdoshëm rregullimi i cilësisë. A janë hasur gjatë kontrolleve dhe inspektimeve që nuk ka pasur cilësi, sepse ende diskutohet për 14 karatin ose përzierje të aliazhit. A ka pasur ndonjë analizë studimore paraprake që ka dokumentuar problemet të theksuara që e kanë bërë të mundur rregullimin urgjent”, ka pyetur Muja.
Ajo para anëtarëve të komisionit ka thënë se artarët janë edhe në rrezik për jetë.
“Artarët tanë kanë edhe sfidën e sigurisë. Ata të cilët janë pajtuar me çdo propozim që kemi sjellur, ne si qeveri dhe si parlament duhet të kujdesimi edhe për sigurinë e artarëve të Kosovës, sepse ka shumë rreziqe të mëdha dhe produktet e tyre nuk janë të siguruara. Kjo nuk rregullohet me Ligjin për Metalet e Çmuara, por do të shikohet në të ardhmen se si ta rregullojmë më së miri sigurinë e artarëve të Kosovës. Të cilët janë në rrezik të madh edhe për jetë. Kjo është shqetësuese për sigurinë e Kosovës”, ka deklaruar Hajdari.
Komisioni për Ekonomi ka vazhduar mbledhjen në oën 13:00 me përfaqësues të auditorit, por i njëjti ka qenë i mbyllur për media.