Ish-mesfushori i Milanit, Franck Kessié, shpreson se Barcelona ende mund ta eliminojë Interin nga faza e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Katalanasit morën një pikë në dy ndeshje kundër Nerazzurrëve në Grupin C, që do të thotë se djemtë e Simone Inzaghit mund të kualifikohen në raundin e 16-të për të dytin sezon radhazi nëse mposhtin Viktoria Plzenin në “Giuseppe Meazza” të mërkurën.
“Ekipi është i mërzitur pas asaj që ndodhi në Ligën e Kampionëve, por ne jemi tani në rrugën e duhur”, tha Kessié për “Sport”.
“Xavi dhe stafi i tij po e rrisin besimin tonë, duke u përgatitur mirë për ndeshjet në vijim. Kualifikimi në raundin tjetër është i vështirë, por jo i pamundur. Unë dua që tifozët të vazhdojnë të besojnë”, shtoi ai.
Barcelona u eliminua nga faza e grupeve të Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar. Ata do të presin Bayern Munich në “Camp Nou” të mërkurën, duke e ditur se edhe një fitore mund të jetë e kotë nëse Interi mund Viktorian.