Zgjedhjet e ardhshme presidenciale më 7 Mars po mbizotërojnë në lajmet e Barcelonës dhe kandidati Toni Freixa ka pretenduar se ai ka siguruar 250 milionë euro për investime.
Joan Laporta dhe Victor Font thuhet se janë kryesuesit e garës për president, megjithatë Freixa është kandidati i tretë në votim dhe ai tani po lufton për të rritur shanset për fitore.
Carlos Tusquets është presidenti aktual i përkohshëm i “Blaugranëve” pas dorëheqjes së Josep Maria Bartomeut.
“Ne kemi mbyllur një marrëveshje me një investitor i cili do të kontribuojë me 250 milionë euro për Barçën”, u tha Freixa gazetarëve të hënën.
“Për sezonin 2021-22, ne do të jemi në gjendje të nënshkruajmë me tre yje, dy në sulm dhe një në mbrojtje”, tha kandidati për president Toni Freixa.
“Ne kemi biseduar në lidhje me mundësinë e sigurimit të nënshkrimeve për sezonin e ardhshëm. Barça do të ketë ekipin konkurrues që duhet të ketë dhe që tani nuk e ka. Gjithçka do të jetë pasojë e punës. Është e pamundur që Koeman nuk do t’i pëlqejë, ata janë lojtarë unikë ”, tha në fund Freixa.