UBT News

​Italia mbetet e ndarë mes të nxehtit ekstrem dhe motit të keq

Italia mbeti e ndarë në dysh të hënën midis nxehtësisë intensive në qendër dhe jug, dhe stuhive të dhunshme me breshër në veri, thotë Antonio Sano në faqen e internetit www.iLMeteo.it.

Sipas parashikimeve më të fundit, rajonet më të rrezikuara nga ngjarjet ekstreme të motit të keq janë Lombardia, Trentino Alto Adige, Veneto dhe Friuli Venezia Giulia, shkruan ANSA.

Nga mbrëmja e së hënës parashikohen shtrëngata dhe veçanërisht të martën dhe të mërkurën për shkak të ardhjes së ajrit të freskët nga Evropa Veriore.

Në pjesën tjetër të vendit, anticikloni afrikan ‘Charon’ do të vazhdojë të sigurojë shumë diell dhe nxehtësi në gjysmën e parë të javës, me temperatura që arrijnë deri në 48°C në Pulia, Sardenjë, dhe Siçili.

Sistemi i presionit të lartë pritet të dobësohet që nga e enjtja, duke sjellë një rënie të temperaturës deri në 10-12 gradë.

Ndërkohë, nga Ministria italiane e Shëndetësisë thanë të hënën se si pasojë e të nxehtit, 16 qytete të mëdha do të qëndrojnë në alarm të kuq deri të martën.

Ato qytete janë Bari, Cagliari, Campobasso, Catania, Civitavecchia, Firenze, Frosinone, Latina, Massina, Napoli, Palermo, Perugia, Pescara, Reggio Calabria, Rieti dhe Roma.

Të mërkurën pritet që numri të bjerë në dy, ku do mbesin vetëm Bari dhe Catania.

Kur Ministria e Shëndetësisë vendos një qytet në alarm të kuq, kjo do të thotë se nxehtësia është aq e fortë sa që konsiderohet një kërcënim për të gjithë popullsinë, jo vetëm për të sëmurët, të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.

Exit mobile version