UBT News

​Infermierët paralajmërojnë veprime sindikale në kundërshtim të Ligjit të pagave

Sindikata e Infermierëve të Kosovës së bashku me shoqatat përfaqësuese të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor sot kanë zhvilluar një takim ku kanë diskutuar për koeficientin e pagave për infermierët, i cili po qarkullon si draft i Ligjit të Pagave. Ata kanë deklaruar se do të ndërmarrin veprime sindikale për të kundërshtuar këtë koeficient.

Enlirat Duraku nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës u shpreh se ky koefient i paraparë për komunitetin e infermierëve është shumë i ulët, ashtu siç ka qenë ai i ligjit të mëhershëm të pagave që e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese.

Duke mos i treguar veprimet që do t’i ndërmarrin, Duraku u shpreh se për të gjitha masat do të njoftohen me kohë të gjithë.

“Pas qarkullimit të shtojcës me koeficient në të cilën shtojcë komunitetet infermierë, mami dhe profesionistët tjerë shëndetësorë ishin të kategorizuar shumë ulët ashtu sikurse në ligjin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese… Ne pajtohemi dhe mbështesim Sindikatën e Infermierëve të Kosovës në masat dhe veprimet sindikale që do të ndërmerren lidhur me Ligjin e Pagave dhe koeficientët për infermierë, mami dhe profesionistët shëndetësor. Për kohën, ditën dhe modalitetet paraprakisht do të njoftohen institucionet dhe shoqatat nënshkruese të kësaj komunikate të përbashkët dhe këto janë Oda e Infermierëve, Sindikata dhe shoqata të tjera të profesionistëve shëndetësorë”, theksoi Duraku.

Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj u shpreh se përmes koeficientit të pagave duan të jenë të barabartë me të gjithë profesionistët shëndetësor.

“Kemi shprehur shqetësimet rreth këtij koeficienti të infermierëve, i cili për herë të dytë vetëm se po bëhet ai i cili ka qenë më herë dhe ka rënë pikërisht nga Gjykata Kushtetuese, prandaj ne si Odë do t’i përkrahim të gjitha kërkesat e Sindikatës së Infermierëve bashkë me shoqatat dhe sigurisht edhe ne si Odw jemi të shqetësuar me këtë koeficient ne nuk kërkojmë as më tepër as më shumë përveç atë të cilët e kanë profesionistët shëndetësor të gjithë kolegët tanë qoftë në rast bachelor të rentgenit apo psikologë klinikë, ne duhet të kërkojmë që të jemi të barabartë me të gjithë profesionistët tjerë”, tha ai.

Ndërsa, Hasan Gashi nga Shoqata e Infermierëve të Urologjisë së Kosovës u shpreh se kërkesa e tyre për koeficient më të lartë për infermierët është legjitime.

“Ne i përkrahim të gjitha kërkesat që ata kanë duke u bazuar në një draft i cili është duke qarkulluar për Ligjin e Pagave dhe ne konsiderojmë që ka hapësirë për përmirësim dhe shqetësimet që i ka ngritur shoqata janë legjitime, ne kërkojmë barazi si në aspektin e edukimit përgatitjes akademike të profesionistëve të ndryshëm gjithashtu edhe në aspektin e përgjegjësisë profesionale dhe shoqërore që kanë infermierët”, tha ai.

Kryetarja e Shoqatës së Instrumentarëve të Kosovës, Adelina Lahu u shpreh se përkundër shkollimit të njëjtë instrumentarët po diskriminohen me koeficientin e paraparë në Ligjin e Pagave.

“Shpreh shqetësimin për diskriminim që po na bëhet pasi të gjithë infermierët me bachelor kryejnë të njëjtin shkollim do të thotë tri vite me të njëjta kredi, 180 kredi me fizioterapeutë, teknik të radiologjisë dhe drejtime të tjera dhe ne po diskriminohemi me koeficient përkundër që kemi shkollimin e njëjtë me këto lami të tjera”, tha ajo.

Exit mobile version