Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, sot komentoi edhe procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të ShSKUK-së.
Hoti u shpreh se bordi i ShSKUK-së është i pavarur dhe punon sipas ligjit për përzgjedhjen e drejtorit të ri. Ai shtoi se ky bord nuk guxon ligjërisht të jetë jo transparent, qoftë edhe me shoqërinë civile dhe mediat në përzgjedhjen e drejtorit.
“Nuk besoj që dikush guxon për të punuar në kundërshtim me ligjin, pra nuk qëndron ajo. Pra, nuk besoj që një institucion publik guxon të punojë në kundërshtim me ligjin, nëse punon dikush në kundërshtim me ligjin, duhet të ndiqen procedurat ligjore në atë drejtim. Por, ata janë të pavarur në punën e tyre. Janë bord i rregullt, që janë emëruar nga Qeveria dhe që duhet të punojnë në përputhje me ligjin. Mos bëni kurrfarë paragjykimi, ndiqni procedurat ligjore, keni të drejtë në bazë të ligjit që të keni qasje në të gjitha dokumentet. Kërkoni qasje në bazë të ligjit brenda shtatë ditëve janë të obliguar që të gjitha institucionet t’iu lejojnë qasje në të gjitha dokumentet. Besoj kemi eliminuar çfarëdo burimi të paligjshmërisë nëpër vendimmarrje nëpër institucione të ndryshme, besoj që kemi vendosur standard në këtë drejtim. Unë ju ftoj edhe juve dhe mediave të tjera dhe shoqërinë civile le ta mbikëqyrin në detaje çdo proces, jo vetëm këtë proces”, theksoi ai.