Pep Guardiola ka mbetur i impresionuar me cilësinë e lojës në fitoren e Manchester City ndaj Liverpool (3-2), për Kupën e Ligës angleze. Menaxheri i kampionit anglez ka mbetur i befasuar nga përgjigja e të gjithë lojtarëve.
“Pas Kupës së Botës dhe shumë kohë pa luajtur, të dyja skuadrat ishin të pabesueshme dhe intensiteti i lojës ishte i lartë. Liverpooli është një ekip i komplikuar dhe kur luan mirë është i aftë të shkatërrojë kundërshtarin për shkak të cilësisë që ka në tranzicione dhe numrit të rasteve të krijuara”, tha Guardiola.
Ai më tutje përgëzoi lojtarët e tij për një paraqitje të shkëlqyeshme.
“Më duhet të përgëzoj lojtarët e mi për mënyrën se si luajtën, sepse ndryshe ishte e pamundur. Lojtarët që u rikthyen pas një jave nuk e humbën shumë vrullin. Është shumë më e ndërlikuar për lojtarët që kanë mbetur jashtë gjatë gjithë kohës si Haaland dhe Cole. Ata shkëlqyen dhe luajtën intensivisht”, tha trajneri spanjoll, duke folur për “Sky Sports”.
Guardiola gjithashtu lavdëroi Kevin de Bruyne:
“Ai gjithmonë luan sikur po digjet brenda. Sa vite ka ai këtu? Shtatë apo tetë? Ai është një legjendë dhe unë jam duke u përpjekur gjithmonë ta mbaj ndezur atë zjarr”, tha në fund Guardiola.