Shoqata e Gastronomëve të Kosovës në bashkëpunim me SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, sot kanë nisur fushatën “SOS Mik”‘, me ç‘rast e kanë vizituar SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë.
Kryetari i Shoqatës së gastronomeve, Petrit Kllokoqi ka treguar qëllimin e kësaj fushate. Sipas tij, secili anëtar i shoqatës se gastronomëve kontribuon për një periudhë të caktuar, me misionin që asnjë fëmijë të mos rritet i vetëm.
“Fushata “SOS Mik” ka për qëllim mbledhjen e fondeve përmes anëtarëve të Shoqatës së Gastronomeve, ku secili anëtarë kontribuon për një periudhë të caktuar me një shumë simbolike duke kontribuar kështu në misionin e përbashkët që asnjë fëmijë të mos rritet i vetëm dhe në të njëjtën kohë të bëhet Mik i SOS Fshatrave të Kosovës”, tha ai.
Në mënyrë që të ketë sa më shumë përkrahje për fëmijët e SOS Fshatrave, ai tha se të gjithë të interesuarit mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në xhirollogarinë e përfituesit me të dhënat: SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë. Derisa ka shtuar se kanë krijuar një fond, mirëpo presin një përkrahje më të madhe nga anëtarësia e shoqatës.
Albanë Zogu-Morina, udhëheqëse e zyrës për mbledhjen e fondeve, tha se më këtë bashkëpunim do të ndihmojnë më shumë fëmijët të cilët kanë nevojë për përkrahje.
“Përmes këtij bashkëpunimi të arrijmë që sa më shumë gastronomë të Kosovës që të ndihmojmë sa më shumë fëmijë që janë pa përkujdesje prindërore apo edhe në rrezik të braktisjes së fëmijëve… E kemi shumë të rëndësishëm që numri i miqve tanë të jetë sa më i madh për SOS Fshatrat e Fëmijëve në mënyrë që këta fëmijë të sigurohemi që jetojnë në një familje të ngrohtë dhe të lumtur, gjë që është edhe motoja jonë…3:03 Shuma e cila do të jepet donacion është shumë simbolike, por për ne është e rëndësishme si organizatë që gjithë ata miq që bëhen miq të SOS Fshatit, nuk është e rëndësishme shuma, sa është e rëndësishme që të kemi miq afatgjatë”, tha ajo.
Ajo ka kërkuar edhe nga gastronomët tjerë t’i bashkëngjiten kësaj fushate.
SOS Fshatrat e Fëmijëve është organizatë joqeveritare që ofron kujdes dhe përkrahje për fëmijë pa përkujdesje prindërore dhe në rrezik të braktisjes. SOS Fshatrat e Fëmijëve veprojnë që nga viti 1999 dhe deri më tani kanë ofruar kujdes dhe përkrahje përmes formave të ndryshme për mbi 2 mijë e 500 fëmijë dhe të rinj.
Aktualisht në SOS Fshatrat e Fëmijëve jetojnë 34 fëmijë pa përkujdesje prindërore nga 0 deri në 18 vjeç dhe 11 të rinj mbi 18 vjeç, si dhe përkrahin mbi 600 fëmijë dhe të rinj në rrezik te braktisjes.