U zhvillua ditën e sotme mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, nën drejtimin e Presidentit Armand Duka. Në fillim të mbledhjes që u zhvillua në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, anëtarët e KE-së miratuan rendin e ditës dhe procesverbalin e mbledhjes së zhvilluar më 24 maj 2021.
Në këtë mbledhje, anëtarët e KE-së diskutuan disa pika të rendit të ditës, si dhe janë miratuar disa prej tyre, ku një prej tyre është projekti i 100 Fushave, një nga projektet më të mëdha të FSHF-së, që konsiston në ndërtimin e fushave të reja në të gjithë Shqipërinë dhe ku mund të aplikojnë pa kufizim kushdo, individ, pushtet qendror a vendor, klub futbolli etj.
Gjithashtu, me unanimitet të plotë u miratuan edhe disa pika të tjera të rendit të ditës, që kanë të bëjnë me mbështetjen infrastrukturore që FSHF-ja do të japë për dy klubet e futbollit, KF Egnatia dhe KF Erzeni, me investimin në sistemin e ndriçimit në Kompleksin Tropikal si dhe me mbështetjen e shoqatës së të verbërve dhe të amputuarve në kuadër të programit të Përgjegjësisë Sociale dhe projekteve incentivuese HatTrick V.