Filmi “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli është në listën e ngushtë për “Oscar”. Në listën e publikuar është bashkë me 14 të tjerë.
Fituesi i trefishtë në Sundance dhe i shumë çmimeve të rëndësishme, është në kuadër të 15 filmave botërorë që do të vazhdojnë garën drejt OSCARS në kategorinë Best International Feature Film.
“Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit rrëfen historinë e Fahrijes e cila pas luftës ngeli e vetme me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tre muajsh. Në përpjekjet për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës, ajo u bashkua me disa gra të tjera të fshatit që kishin mbetur të veja dhe krijuan kooperativën bujqësore “Krusha”, që merren me përpunimin e turshisë dhe ajvarit.
Fahrija nuk heq dorë dhe vazhdon të luftojë jo vetëm për të mbajtur familjen e saj, por edhe për të luftuar paragjykimet kundër një komuniteti që është armiqësor ndaj saj.
Votimi i nominimeve fillon më 27 janar 2022 dhe përfundon të martën, më 1 shkurt 2022. Nominimet do të shpallen më 8 shkurt 2022.
Ceremonia e 94-të Oscar mbahet më 27 mars 2022 në Hollywood dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në më shumë se 200 vende botërore./UBTNews