Sigal Prishtina dhe Trepça do ta zhvillojnë këtë javë ndeshjen e pestë dhe vendimtare të play – off-it për kualifikim në finalen e madhe.
Ndeshja është e paraparë të zhvillohet të enjten, por për shkak se në këtë ditë do të ketë aktivitete në sportin e hendbollit në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, ajo edhe mund të shtyhet, por që ende nuk ka vendim për këtë çështje.
Zëdhënësi për media i FBK-së, Bahri Rexha, ka thënë se kjo federatë ende nuk ka marr ndonjë vendim për shtyrjen e ndeshjes.
“Jo, nuk kemi marr ndonjë vendim. Varësisht nga aktivitetet që mund të jenë në sallë mbase mund të ketë ndonjë ndryshim orari apo shtyrje të ndeshjes, por ende nuk ka ndonjë vendim”, ka thënë Rexha.
Në ndeshjen e së dielës, mitrovicasit shënuan fitore ndaj Prishtinës në sallën “Minatori” duke e barazuar serinë në 2-2.