UBT News

​Dua Lipa rrëfen jetën mes Kosovës dhe Londrës

Këngëtarja Dua Lipa ka folur për historinë e jetës së saj mes Kosovës dhe Londrës, por edhe për lidhjen e saj me Anwar Hadid.

Dua Lipa dhe i dashuri i saj Answar Hadid gjatë Festivalit Sunny Hill në Prishtinë.

Ajo në një intervistë për revistën Vanity Fair ka treguar se pavarësisht se u zhvendosën në Londër, prindërit e saj i flisnin shqip dhe e rritën me shumë dashuri për kulturën e vendlindjes.

“Gjithçka ishte shqiptare në shtëpi. Unë kisha aq shumë familjarë në Kosovë, por për shkak të situatës nuk isha në gjendje të kthehesha. Nuk i kisha takuar kurrë familjarët e mi”, tha Lipa, duke kujtuar se prindërit nuk i folën shumë për luftën në Kosovë pasi ishte e vogël dhe nuk donin ta mërzitnin.

Për më tepër, 25-vjeçarja tregon se jeta në Prishtinë nuk ishte e lehtë, pasi ajo kishte probleme me gjuhën, nuk performonte mirë në shkollë. Ndërkohë ajo nisi të mësonte më shumë për Kosovën dhe luftën. Dua thotë se kjo e nxiti të përdorte fuqinë e imazhit si yll popi, për të thënë fjalën e saj mbi këtë çështje.

“Kjo vjen kryesisht për shkak të rrënjëve të mia në Kosovë dhe pasi kam dashur të mbaj një qëndrim mbi këtë. Gjërat kanë buruar nga një përvojë personale. Teksa profili im po rritet, veçanërisht në internet, ndjej sikur kam nevojë ta përdor atë për të bërë diçka më të mirë sesa thjesht, e dini, të postoj fotografi të lezetshme ose çfarëdo gjëje tjetër,” tregon Lipa.

Dua ishte 12-vjeç kur Kosova shpalli pavarësinë më 2008 dhe ajo kujton gëzimin e familjes së saj. Disa vjet më vonë, ajo i bindi prindërit që të zhvendosej vetëm në Londër.

“Ndihem sikur jeta ime do të jetë gjithmonë midis dy vendeve,” tha këngëtarja shqiptare me famë botërore.

Lipa ka folur edhe për lidhjen e saj me Anwar Hadid, vëllai i motrave Gigi dhe Bella Hadid.

“Anwar është gjysmë holandez, kështu që ai është gjithashtu mjaft evropian në disa kuptime”, tha Lipa duke shtuar se ajo pyet Hadid para se të ndajë ndonjë fotografi të tij në rrjete sociale, megjithëse nuk shqetësohet domosdo nëse ai nuk e bën të njëjtën gjë.

“Gjithmonë më pëlqen të pyes nëse i pëlqen një foto para se ta postoj. Por gjithashtu mendoj se ndonjëherë është e ëmbël që atij i pëlqejnë vërtet disa fotografi të mia jo të bukura”, përfundon Lipa.

Exit mobile version