Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica – Xhelili përfundimisht i ka ndarë rrugët me këtë grup dhe me subjektin e saj, Listën Guxo. Ajo pritet të kalojë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Lajmin se Kica – Xhelili nuk do të jetë më pjesë e GP të VV-së dhe as pjesë e Listës Guxo pritet ta konfirmojnë edhe nga kjo parti.
Pas raportimeve të sotme për kalimin e Xhelilit në LDK, pothuajse i menjëhershëm ishte reagimi i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci. Ai ka thënë se “kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”.
Kujtojmë se dyshimet e para për kalimin e deputetes Doarsa Kica–Xhelili në LDK janë hedhur pas deklaratës së kryetarit Lumir Abdixhiku se “do të ishte nder për secilën parti që ta ketë në radhët e veta një deputete si doarsa Kica-Xhelili”.
Ndryshe, Partia Guxo sot në ora 17:00 mban kuvendin e parë zgjedhor dhe konstituiv të organeve dhe statutit të partisë.