Stresi, frika, kufizimet në lëvizje dhe emocionet e forta me të cilat u përballë e gjithë bota që prej shfaqjes së virusit COVID-19, rrezikojnë shëndetin mendor të qytetarëve. Se pasojat mund të jenë afatgjata e thotë drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor, Sami Rexhepi.
Rexhepi në një intervistë për KosovaPress, thotë se për shkak të gjithë situatës së shkaktuar nga pandemia, do të ketë edhe më tepër probleme të pasojave mendore në të ardhmen.
“Pasojat e pandemisë COVID-19 janë shumë më shumë se nëse përkufizohemi në një aspekt, qoftë nëse e marrim shëndetin fizik, qoftë nëse i marrim humbjet të cilat kanë ndodhur, vendet e punës, e ajo që ka qenë edhe më e rëndë, humbja e anëtarëve të familjes. Të gjitha këto e përbëjnë një tërësi që nuk mund të shprehet vetëm me numër. Mirëpo, ajo që po më brengos më tepër është se do të ketë edhe më tepër probleme të pasojave mendore në të ardhmen. Posaçërisht po e theksoj në aspektin e shëndetit mendor do të ketë pasoja mjaftë të mëdha”, thotë ai.
Ai thekson se pasojat e pandemisë do t’i vuajnë të gjithë pa përjashtim.
“Në shëndetin mendor normalisht që ndikojnë edhe apsketi socio-ekonomik i individit. Një çrregullim i baraspeshës së shëndetit mendor dhe shëndetit fizik patjetër rezulton me një mosfunksionalizim të individit. Kur një individ nuk është funksional ai nuk mundet me e përmbushë dhe të realizojë vetveten në kuptimin e plotë, edhe në vendin e punës. Do të thotë do të ballafaqohemi si pasojë e kësaj me probleme edhe në të ardhmen. Nuk do të munden me u kthy në punë dhe në detyrat e tyre menjëherë të gjithë individët, të gjithë ata që e kanë kalu sëmundjen, qoftë ata që nuk janë prekur nga vet sëmundja, por pasojat sa i përket shëndetit mendor do t’i përjetojnë të gjithë”, thotë ai.
Ajo që mund të jetë më problematike, sipas neupsikiatrit Sami Rexhepi, është mundësia e paraqitjes së çrregullimit post-traumatik, pasi që thotë se ka karakter kronik.
“E kemi pasur një luftë të pashpallur me një armik të padukshëm, i cili për neve individualisht ka qenë prezent në çdo vend. Dhe, të jetosh me një presion të tillë për më tepër se një vjet e gjysmë dhe me faktin se ka pasur tërë kohën strese të reja, do të dëshiroja të mos ketë çrregullime të stresit post-traumatik sepse ka një karakter kronik ai çrregullim. Pastaj, është pjesa ku shpeshherë nuk kemi arritur me e tejkalu as stresin e pikëllimit për humbjen e anëtarëve. Tërë kohën ka pasur strese të reja”, thekson ai.
Ai flet edhe për situatat me të cilat u përballën qytetarët e Kosovës përgjatë periudhës pandemike. Mbyllja e plotë që ndodhi në fillim, mungesa e vaksinave, vala e re e virusit, pastaj dezinformatat pas ardhjes së vaksinës janë disa nga faktorët që sipas tij do të rëndojnë edhe më shumë shëndetin mendor.
“Të gjitha këto kanë ndikuar për individin që të rëndojnë edhe më tepër gjendjen e shëndetit mendor[…] Personat, të cilët do të preken nga stresi post-traumatik, ky është çrregullim i cili ka karakter kronik, shumë do të varet prej fuqisë që e ka secili individ, do të jetë individuale. Nuk mund të flitet për ditë, për muajin, kjo duhet të jetë një tregues për mobilizim shumë më të madh për ata persona për me i ndihmu me i tejkalu”, shton ai.
Rexhepi thotë se pa një baraspeshë të shëndetit mendor dhe fizik njerëzit nuk mund të jenë funksional për një shoqëri të shëndoshë, për çka apelon institucionet që të ndërgjegjësohen për rëndësinë që ka institucionalizimi i kësaj fushe.
“Rëndësinë e parë këtu e zë vet familja, e cila duhet të jetë më mbështetëse dhe më përkrahëse me anëtarët e familjes, sepse dikush është atakuar më tepër, dikush më pak. Familja është vendi i thithjes së energjisë pozitive, kështu që duhet të kemi kujdes për fuqizimin e familjes. Pastaj vjen fuqizimi i mjedisit social që mjerisht me këto kufizime, jo vetëm jemi kufizuar por edhe jemi traumatizuar mjaftë… Duhet të ndërrohen politikat sa i përket shëndetit mendor. Për fat të mirë e kemi një ushtri të tërë te psikologëve, nuk na mungojnë kuadrot, na mungon fuksionalizimi i tyre dhe organizimi i mirëfilltë e kjo mangësi është mungese e politikave”, thotë neuropsikiatri.
Më 13 mars të vitit 2020 u shënuan dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë.