Alessandro Del Piero ka mbetur i befasuar me fillimin e dobët të Juventusit në sezonin e ri të Serie-A dhe ka bërë thirrje që lojtarët më me përvojë në skuadër të bëjnë hapa përpara për ta kaluar krizën.
“Zonja e Vjetër” pësoi disfatë nga Napoli të shtunën dhe ende nuk e ka shijuar fitoren edhe pas tri xhirove të zhvilluara deri më tani.
“Jam i befasuar me startin e dobët të Juventusit, por jo nga humbja e tyre kundër Napolit”, tha Del Piero për “Sky Sport”.
“Mendoj se ata po i paguajnë disa gjëra. Të gjithë po flasin për largimin e Cristiano Ronaldos sepse ai iku në momentet e fundit dhe shumë gjëra të tjera. Me rikthimin e Allegrit, Juventusi ka nevojë për kohë për t’i gjetur elementet e reja pozitive brenda ekipit. Napoli ka bërë hapa përpara me trajnerin Luciano Spalletti”, vazhdoi më tutje Del Piero.
Ai më tutje u ka bërë thirrje lojtarëve që të mos merren me të kaluarën dhe t’i harrojnë ata që janë larguar nga klubi.
“Jam i sigurt që lojtarët e kanë kuptuar situatën. Lojtarët më me përvojë duhet duhet të bëjnë hapa përpara për ta kaluar këtë moment të vështirë. Është vitale që ata të mos i referohen të kaluarës, merkatos dhe atyre që u larguan. Ajo që ka rëndësi është emrat që janë tani në skuadër”, tha në fund ish-reprezentuesi i Italisë.
Ndryshe, Del Piero është golashënuesi më i mirë në historinë e Juventusit dhe njëkohësisht lojtari me më së shumti paraqitje në fanellën bardhezi.