Twitter mund t’i nënshtrohet gjobave dhe masave të tjera nëse nuk respekton rregullat në përputhje me ligjin e BE-së, tha Komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së, Thierry Breton.
“Është absolutisht e qartë se nëse Twitter nuk respekton këto rregulla, ne mund të vendosim gjoba. Dhe nëse shkeljet e rregullave vazhdojnë, ne mund ta mbyllim platformën në Evropë”, tha Breton.
“Ne po ndjekim nga afër se çfarë po ndodh në Twitter që kur Elon Musk mori kontrollin e platformës”, tha ai.
Breton njoftoi se do të ketë një tjetër takim mes tij dhe Musk përpara festave të Krishtlindjeve.
“Ligjet për tregjet digjitale dhe shërbimet dixhitale sigurojnë mjete të fuqishme për të frenuar përhapjen e gënjeshtrave dhe urrejtjes”, tha Breton.
“Twitter duhet të përmbushë këto kritere nëse dëshiron të vazhdojë të operojë në tregun europian”, shtoi ai.
Më herët, presidenti francez, Emmanuel Macron tha se Twitter ishte angazhuar për eliminimin e përmbajtjeve terroriste dhe ekstremiste në internet.
Macron u takua të premten me Musk në një vizitë në ShBA dhe zhvilloi një diskutim të qartë dhe të ndershëm.
Macron tha se Elon Musk konfirmoi pjesëmarrjen e Twitter në iniciativën Christchurch Call të nisur pas sulmeve terroriste në Zelandën e Re.
“Nuk ka vend për përmbajtje terroriste dhe të dhunshme ekstremiste askund”, tha Macron.
“Macron dhe Musk folën gjithashtu për politikat transparente të përdoruesve, përforcimin e konsiderueshëm të moderimit të përmbajtjes dhe mbrojtjen e lirisë së fjalës”, tha Macron.
“Duhet të bëhen përpjekje nga Twitter për t’iu përmbajtur rregulloreve evropiane”, shtoi ai. /DPA/