Bashkimi Evropian njoftoi sot se nuk do të pranojë dokumente udhëtimi ruse të lëshuara për personat që banojnë në rajonet nën pushtimin rus në Ukrainë ose territoret separatiste në Gjeorgji.
Këto dokumente nuk do të pranohen si dokumente të vlefshme udhëtimi për marrjen e vizës ose kalimin e kufijve të zonës Shengen.
“Ky vendim është një përgjigje ndaj agresionit ushtarak të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe praktikës ruse të lëshimit të pasaportave ndërkombëtare ruse për banorët e rajoneve të pushtuara. Ai gjithashtu pason vendimin e njëanshëm të Rusisë për të njohur pavarësinë e territoreve gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në vitin 2008″, njoftoi Këshilli i BE-së.
Presidenca e Këshillit dhe Parlamenti Evropian arritën sot një marrëveshje të përkohshme për vendimin për të mos pranuar dokumentet ruse të udhëtimit të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji.
Teksti i rënë dakord i nënshtrohet procedurës së miratimit të Këshillit dhe Parlamentit Evropian përpara se të kalojë procedurën formale të miratimit.
Dokumentet ruse të udhëtimit të lëshuara në këto rajone nuk njihen tashmë ose janë në proces të mosnjohjes nga vendet anëtare të BE-së.
Ky vendim synon të krijojë një qasje të përbashkët, të sigurojë funksionimin e duhur të kufijve të jashtëm dhe politikën e përbashkët të vizave dhe të mbrojë sigurinë e vendeve anëtare të BE-së, njoftoi Këshilli i Bashkimit.