Performanca ekonomike e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor mbetet e prekur nga vazhdimi i luftës në Ukrainë dhe rritja e lartë e çmimeve të energjisë që ka rezultuar prej saj, si dhe nga ngadalësimi i rritjes globale, pohon edicioni i fundit i Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.
Në një komunikatë për media thuhet se këto kriza po kthehen në pengesa për rajonin, përkundër rritjes më të lartë seç pritej më herët këtë vit.
Falë nxitjes prej konsumit dhe investimeve private, gjysma e parë e vitit 2022 u shoqërua me rritje solide ekonomike që i tejkaloj pritjet.
Në mesin e vitit 2022, nivelet e punësimit kapën pikat më të larta historike në disa prej vendeve të rajonit, ndërsa shkalla mesatare e punësimit në rajon tanimë është 46 për qind, duke u rritur për 3 pikë përqindjeje krahasuar me mesin e vitit 2021.
Të gjithë sektorët kontribuuan në rimëkëmbjen e tregut të punës, por ishin shërbimet (përfshirë turizmin) që luajtën rol madhor. Sidoqoftë, vrulli i rritjes veçse ka filluar të ngadalësohet përballë sfidave në rritje.
Çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve e kanë shtyrë inflacionin në nivele që nuk janë parë prej shumë vitesh, duke e dobësuar fuqinë blerëse dhe besimin e bizneseve. Aktiviteti në tregun e punës po fillon të ulet teksa shihet ngadalësim i ritmit të punësimit përballë inflacionit të lartë dhe rritjes së pasigurisë.
Edhe pse gjatë vitit 2022 vazhduan trendet rënëse të shkallëve të varfërisë, inflacioni shumë i lartë paraqet rreziqe për uljen e varfërisë në të ardhmen. Po të mos ishte mbështetja prej qeverive, ashpërsia e tronditjes së shkaktuar prej çmimeve të energjisë dhe ushqimeve mund të rezultonte me rritje për 13 për qind në numrin e qytetarëve të varfër në Ballkanin Perëndimor.
“Qeveritë e Ballkanit Perëndimor po i marrin masat e nevojshme si kundërpërgjigje ndaj rritjes së inflacionit dhe krizës energjetike, por çmimi që po paguhet është i lartë: shpenzimet publike janë rritur ndjeshëm”, tha Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
“Është me rëndësi kritike që këto masa t’i zbusin ndikimet e krizave tek amvisëritë dhe bizneset më të cenuara, dhe Banka Botërore është e gatshme t’i mbështesë vendet në këto përpjekje.”
Presionet e shpenzimeve fiskale pas goditjeve të shkaktuara nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimit e kanë amortizuar rritjen e të ardhurave publike që solli inflacioni i lartë, si dhe e kanë ndalur konsolidimin fiskal.
Borxhi publik dhe ai i garantuar publikisht pritet të ulet gjatë vitit 2022, por sërish do të mbetet mbi nivelin kulmor të arritur para COVID-it, ndërkohë që kushtet e financimit po shtrëngohen teksa politika monetare globale po përpiqet ta zbusë goditjen prej inflacionit.
“Teksa gjysma e parë të vitit 2022 rezultoi me rritje relativisht solide, tanimë është e qartë se rajonin e pret një stuhi tjetër,” tha Sanja Madzarevic-Sujster,
ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe njëri prej autorëve kryesorë të raportit.
“Goditjet e kombinuara kanë ndikim të rëndë në perspektivën e rajonit. Kushtet më të shtrënguara globale për financim, ngadalësimi i kërkesës së brendshme dhe të jashtme, si dhe dobësimi i besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, me siguri që do të ndikojnë në sektorin financiar të rajonit”.
Veç shtrëngimit të kushteve të financimit, raporti vë në pah se ende ekziston risku që COVID-19 të shpërthejë sërish gjatë dimrit, ndërsa zinxhirët globalë të furnizimit vazhdojnë të jenë në gjendje stresi.
“Në plan afatshkurtër, për të minimizuar rreziqet fiskale, qeveritë duhet t’i kenë prioritet politikat që mbështesim më të cenuarit, duke u siguruar që masat janë të përkohshme dhe prekin ata që kanë më së shumti nevojë,” shtoi Christos Kostopoulos, krye-ekonomist i Bankës Botërore dhe njëri prej autorëve kryesorë të raportit.
Me hapësirë të kufizuar fiskale, prioritet i politikë-bërësve, po ashtu duhet të jenë reformat e domosdoshme që me kosto të kufizuar nxisin rritjen afatmesme.
Sipas raportit, reforma të tilla do të duhej të përfshinin masa për rritjen e nivelit të konkurrencës, heqjen e barrierave për hyrjen e bizneseve të reja në treg, rritjen e mbajtjes së fitimeve dhe ri-investimit mes investitorëve të huaj, zbutjen e barrierave për pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore, përmirësimin e cilësisë së arsimit, si dhe ngritjen e standardeve të qeverisjes, përfshirë këtu edhe digjitalizimin.
Raporti shton edhe se vazhdimi i krizës është një tjetër argument i fortë për rëndësinë e përshpejtimit të tranzicionit të gjelbër në rajon, në mënyrë që nga hidrokarburet e paqëndrueshme të kalohet drejt prodhimit më të pastër të energjisë elektrike, si dhe modeleve më të gjelbra të prodhimit dhe konsumit.