Në derbin e së dielës ndërmjet Prishtinës dhe Ballkani ka ndodhur një incident ku tifozët e të dy skuadrave janë përleshur disa minuta para fillimit të ndeshjes.
Si pasojë e kësaj kanë mbetur të lënduar disa tifozë të skuadrës së Ballkanit të cilët është dashur që të marrin trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Skuadra nga Suhareka ka bërë të ditur se gjendje shëndetësore e këtyre tifozëve është stabile dhe se të gjithë janë liruar për në shtëpi.
“Ju njoftojmë se pas sulmit të ndodhur para fillimit të ndeshjes nga tifozët nikoqir disa nga tifozët tanë më të zjarrtë pësuan lëndime serioze në një sulm tinzar të provokuar dhe të organizuar nga tifozë të pandërgjegjshëm. Pas trajtimit në emergjencën e QKUK-së fatmirësisht të gjithë të lënduarit janë liruar për në shtëpi”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ballkani.
Ndryshe, ndeshja përfundoi me fitoren e Ballkani me rezultat 1-0 me golin e vetëm të realizuar nga Albion Rrahmani në fund të pjesës së parë.