Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka njoftuar se ka liruar nga detyra drejtorin e Arsimit, Ismet Ferizi, për një deklarim të cilin e ka quajtur skandaloz.
Bahtiri ka thënë se ky lirim nga detyra është për shkak se ai në takim zyrtar në Ministrinë e Arsimit ka thënë: “Sa të jem unë drejtor, askush me shami nuk do të punësohet në arsim”.
“Pas këtij deklarimi skandaloz të njëjtin e kam larguar nga takimi. Ky diskrimin në baza fetare për mua ka qenë i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ku për pasojë më është dashur të marrë veprimin e lirimit nga detyra, pasi që ai nuk ka reflektuar në qëndrimin e tij edhe pas këtij takimi. Përndryshe, Drejtori i Arsimit nuk ka asnjë komptencë dhe përgjegjësi për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave, pasi që përzgjedhjen e tyre e bën komisioni i formuar nga Kuvendi i Komunës. Ndryshe, sot kam miratuar përzgjedhjen e drejtorëve të rinj, të cilët janë rekomanduar nga komisioni. Kjo dëshmon se pretendimet për ndërhyrje në këtë proces nga unë, kanë qenë shpifje ndaj meje si kryetar komune. Suksese drejtorëve të rinj të shkollave në punën e tyre”, ka shkruar ai.