Kombëtarja shqiptare ka filluar grumbullimin për dy ndeshjet miqësore me Italinë dhe Armeninë që do të luhen në stadiumin “Air Albania”, respektivisht më datat 16 dhe 19 nëntor.
Në nisje të këtij grumbullimi për të folur mbi ndeshjet e radhës dhe të ardhmen e skuadrës kuqezi, dolën sot në konferencë për shtyp dy mesfushorët Kristjan Asllani dhe Ylber Ramadani.
Dy futbollistët kuqezi vlerësuan përballjen me Italinë si një ndeshje veçantë e që do të jetë një motiv krenarie për të gjithë lojtarët dhe se është kënaqësi të sfidosh kampionët e Europës.
“Do jetë një ndeshje e veçantë për mua, jetoj në Itali prej moshës 2 vjeçare. Kam shumë shokë atje. Ndeshje e vështirë, por do provojmë të lumturojmë njerëzit tanë. Nuk kam pasur ngacmime nga shokët e skuadrës, por më kanë pyetur se kur do luajmë, ku do rrinë ata dhe gjëra të tilla. Mezi po e pres si ndeshje. Italia ka nivel shumë të lartë, por ne do provojmë të bëjmë ndeshjen tonë, pasi kemi shumë kualitet. Gjërat shkojnë mirë kur skuadra fiton, kur nuk ndodh ka zëra”, tha Kristjan Asllani.
Ndërsa mesfushori Enis Çokaj foli për transferimin e tij te Panathinaikos në fund të merkatos dhe u ndal te emocionet që jep grumbullimi në kombëtare, ku grupin e shikon të bashkuar në çdo rast që është pjesë e kuqezinjve.
“Kisha disa vite te Lokomotiva e Zagrebit, tani jam pjesë e një prej ekipeve më legjendare në Greqi. Shpresoj të marr minuta dhe të kthehem titullar te Panathinaikosi dhe Kombëtarja. Si e shikoni Kombëtaren? Komunikimi dhe marrëdhëniet me shokët e skuadrës janë shumë të mira, jemi si familje. Rezultatet janë çështje fati. Ndeshja me Italinë është e madhe, por të gjithë jemi gati, gjithmonë. Secili duhet të japë 100% në Kombëtare, ambientimi do edhe kohën e vet, por besoj se me kalimin e kohës do ambientohemi shumë mirë. Transferimi në Greqi? Pak e vështirë përshtatja, isha blerja e fundit e klubit, por me punë dhe stërvitje do të kthehem titullar i skuadrës”, theksoi ai.