Njëri nga mbrojtësit më të mirë të krahut në botë Andy Robertson ka nënshkruar kontratë të re, duke ia besuar të ardhmen “Të kuqve” deri në vitin 2026.
Robertson ka rinovuar kontratën e tij tek Liverpooli, duke nënshkruar marrëveshjen pesë vjeçare që iu ofrua nga krerët e gjigantit anglez.
Robertson u transferua tek Liverpooli nga skuadra e Hull Cityt në qershor të vitit 2017, dhe që nga ajo kohë mbrojtësi skocez ka arritur të bëjë 177 paraqitje për “Të kuqtë”, duke regjistruar pesë gola dhe 37 asistime.
“Natyrisht, kur edhe filluan bisedimet dukej se ardhmja ime do të jetë këtu, më e gjatë se ajo e kaluara, dhe pa dyshim që nuk është gjë sekrete që jam i lumtur tek ky klub. Dua të qëndrojë tek ky klub për shumë vite të tjera dhe të vazhdojë të ardhmen këtu, gjithmonë është kënaqësi për mua dhe për familjen time. Jemi ambientuar këtu, dhe e duam çdo gjë rreth këtij klubi, dhe jam tejet i lumtur që kjo aventurë do të vazhdojë”, shtoi ylli skocez.