Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka thënë se në rezolutën e miratuar për Kosovën në Parlamentin Evropian thuhet se në vitet e fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media dhe përmes tyre është krijuar mundësia e ndërhyrjes.
Sipas Pacollit, qeveria dhe parlamenti i Kosovës duhet të marrin masa në këtë drejtim.
Derisa ka folur në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Pacolli ka thënë se javën e kaluar Parlamenti Evropian debatoi dhe miratoi rezolutën për Kosovën ku sipas saj ka pasur vlerësime për qeverinë por shqetësuese sipas saj mbetët çështja e mediave.
“Një gjë shqetësuese që përmendet në rezolutën e fundit dhe këtu edhe si Kuvend edhe si qeveri duhet të marrim masa është se… Një gjë shqetësuese që pamendët në rezolutën e fundit dhe që nuk është përmendur asnjëherë në rezolutat e mëparshme është se viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes së cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik. Pra këtu kërkojmë vëmendjen Kuvendit dhe qeverisë që të marrim masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionin e medias, transparencës dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, ka thënë ajo.
Pacolli derisa ka përmendur debatin në Parlamentin Evropian, ka thënë se deputetët atje e kanë vlerësuar punën e qeverisë Kurti.
“Kësaj radhe vërtetë u tha troç, të gjithë deputetët që mbështetën Kosovën në fjalimet e tyre e vlerësuan lartë punën e qeverisë Kurti dhe reformat që po ndodhin në vend”, ka thënë ajo.
Për fjalimin e Pacollit, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të shkruara të Kosovës të cilët janë shprehur të shqetësuar.
“AGK-ja dhe KMShK-ja të shqetësuar me fjalimin kundër mediave të deputetes Fitore Pacolli. Në një fjalim të sotëm në Kuvend, deputetja e partisë në pushtet, Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka bërë thirrje për rregullim qeveritar të mediave, sidomos mediave online. Thirrja e hapur e deputetes Pacolli për ndërhyrje direkte të Qeverisë për kontroll ndaj mediave është e papranueshme për AGK-në dhe KMShK-në dhe paraqet rrezik për lirinë e medias në vend. Mediat, shumica e të cilave janë të regjistruara si biznese në ARBK, kurse një pjesë tjetër si OJQ, rregullojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet ligjeve përkatëse në Kosovë dhe rregulloreve të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës – Press Council of Kosovo. Çdo tentim i Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediat është tentativë e papranueshme për të ndërhyrë në punën e tyre. Ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave”, thuhet në reagim.6