Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka vlerësuar lartë kontributin e legjendës së futbollit të Kosovës Fadil Vokrri i cili sot katër vite më parë u nda nga jeta.
Ademi në një shkrim të publikuar në Facebook, ndër të tjera ka thënë se Vokrri mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja dhe se personalisht ndihet i nderuar që ishte në mesin e miqve të tij.
“Sot bëhen katër vjet që kur na la presidenti, miku dhe Legjenda jonë, Fadil Vokrri. Një figurë emblematike e futbollit të Kosovës, që në rininë e tij të hershme u shqua si njëri nga futbollistët më të spikatur në trojet shqiptare dhe jo vetëm, derisa për shumë vite u dallua edhe si drejtues i denjë i FFK-së. Sot, Legjenda na mungon të gjithëve fizikisht, por përherë mbetet në kujtimet tona si një personalitet i cili me karrierën e tij të bujshme i dha vlera të mëdha futbollit të Kosovës, teksa udhëhoqi me sukses procesin e anëtarësimit në UEFA e FIFA. Fanella me numrin 9 e simbolizonte karrierën e tij madhështore. Tani 9 qershori e simbolizon përkujtimin e tij të përjetshëm, teksa në çdo ndeshje të Kombëtares së Kosovës minuta e 9-të simbolizohet me brohoritjet e tifozëve me emrin e tij. Fadil Vokrri mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja, derisa për shumë breza që kishin fatin të luanin, të punonin e të ishin afër tij mbetet kujtim krenarie. Jam i nderuar që isha në mesin e miqve të tij të shumtë, por edhe krahu i tij i djathtë në rrugëtimin drejt ndërkombëtarizimit. Së bashku kaluam nëpër shumë peripeci, por punuam në vazhdimësi me këmbëngulësi që futbolli i Kosovës të jetë në nivelin ku është sot. Tani arritjet tona janë pjesë e përkushtimit në punë dhe u dedikohen të gjithë atyre që punuan e kontribuuan në futbollin kosovar që nga ditët e para të mëvetësimit. Sot, në këtë datë, rastisi që Kombëtarja jonë të luajë kundër Irlandës së Veriut, ndeshje e cila do të jetë në përkujtim të tij dhe rezultati i saj, i cili shpresojmë se do të jetë pozitiv, do të jetë i dedikuar për Fadil Vokrrin”, deklaroi Ademi.
Vokrri ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptarë dhe është më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.