Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe te varri i akademik Fehmi Aganit, në 22-vjetorin e vrasjes së tij.
Abdixhiku thotë se veprimtaria e Profesor Aganit për kombin ka spikatur si në fushën e shkencës, edukimit si dhe në jetën atdhetare e politike. Fehmi Agani ishte intelektual i rrallë, politolog dhe sociolog, profesor në Universitetin e Prishtinës, si dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Jo rastësisht e quanin “truri i lëvizjes paqësore”. Puna dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Aganit për lirinë dhe pavarësinë e vendit nuk mund të ndalej nga armiku serb, pos me eliminimin e tij fizik, ashtu edhe siç ndodhi fatkeqësisht, kur u vra më 6 maj 1999 afër Lipjanit. Jeta dhe vepra e tij janë testament për kohën dhe shumë breza që vijnë, ndërsa emri i tij është skalitur në gurthemelin e shtetit të Kosovës, thuhet në komunikatën për media të LDK-së”, thuhet në njoftimin e LDK-së./UBTNews