Në 23-vjetorin e masakrës në Mejë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku bashkë më deputetë të kësaj partie dhe asamblistë të LDK-së në Gjakovë sot kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial “Lëndina e pikëllimit”.
Abdixhiku u shpreh se masakra e Mejës është ndër ngjarjet më të dhimbshme të historisë shqiptare.
Ai tha se ditët dhe ngjarjet si kjo e sotmja janë shtyllë për të rikujtuar dhimbjen e popullit dhe plagët e pashëruara.
“23 vjet më parë, këtu 376 civilë të pafajshëm prej të cilëve 36 fëmijë të gjithë nën moshën 18-vjeç janë vrarë në mënyre mizore prej forcave serbe, të cilët më pas këta trupa i kanë bartur në Serbi për t’i varrosur në një varrezë masive dhe kjo tregon në vetë natyrën e krimit serb në Kosovë dhe jo vetëm por edhe organizimin e shtetit serb në luftën e Kosovës për të fshehur këtë krim. Këto ditë si e sotmja dhe ngjarje si e sotmja janë shtyllë për rikujtuar se për çdo veprim tonin të tanishëm, por mbi të gjitha shtyllë rikujtuese e dhimbjes së madhe që populli i Kosovës i kanë si plagë të pashëruara të përhershme”, tha ai.
Ai u shpreh se është obligim politik dhe patriotik që të zbardhet fati i mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur.
“Sot jemi edhe në Ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, prandaj e kemi obligim politik dhe patriotik që edhe fatin e 1600 të zhdukurve ta zbardhim deri tek i fundit dhe familjeve t’u japim qetësinë e nevojshme dhe jo vetëm atyre po gjithë Kosovës. E ardhmja jonë ndërtohet duke zbardhur të shkuarën dhe duke mbajtur përgjegjës secilin që ka kryer krime monstruoze”, tha ai.
Homazhe në kompleksin memorial në Meje kanë bërë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca me ministra të kabinetit qeveritar, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe shumë familjarë të civilëve qe u masakruan nga forcat serbe.