Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do ta dërgojë Ligjin për Qeverinë në Kushtetuese. Kështu ka njoftuar shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri i cili tha se përmes këtij ligji i jepet të drejtë zëvendësministrit për votim.
Ai në seancë plenare ka theksuar se po shkelen edhe dy funksione të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës.
“Kjo seancë që po mbajmë tash sapo është duke i shkelur dy funksione të rëndësishme që ne i kemi si institucional. Unë e kuptoj që Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje paska arritur të mbledhur pas një kohe të gjatë në Kuvend 63 vota. Mirëpo, të anashkalohen të gjitha procedurat të shqyrtimit të ligjeve me rëndësi vitale, nuk është asgjë tjetër përveç shkelje e funksionimit dhe ndërhyrje në punën tonë që kemi në kryesi. Unë e kuptoj që këtë rregullorja e lejon, mirëpo kjo qasje është e gabuar dhe që nuk i bën nder këtij kuvendi. Po ashtu, dua të them këtu që ne sapo kaluam një ligj (Ligjin për Qeverinë), i cili në mënyrë antikushtetuese i jep të drejtë zëvendësministrit të votojë. AAK këtë ligj do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, për shkak se jemi të bindur që kjo e drejtë që iu ka dhënë me ligj zëvendësministrave është kundër kushtetuese”, ka deklaruar ai.
Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim në seancën e sotme është miratuar Ligji për Qeverinë.