Aleanca për Ardhmërinë Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate po kërkojnë miratimin e projekt-buxhetit për vitin 2021. Dy partitë që janë në koalicionin qeverisës këtë buxhet e quajtën të interesit vital për stabilitetit financiar të vendit.
Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi tregoi disa nga nevojat e miratimit të këtij projekt-buxheti.
“Votimi i buxhetit për vitin 2021 është i një interesi të veçantë për stabilitetin financiar të vendit, sidomos për pjesëmarrjen e parë të vitit kur të hyrat janë më të limituara. E po ashtu mundëson implementimin më të fuqishëm të pakos për rimëkëmbje që është jetësore për bizneset në vështirësi. Ne si GP i AAK-së do të përkrahim miratimin e këtij projekt-buxheti”, tha ai.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Nisma-AKR-6+, Endrit Shala tha se nuk ka asnjë arsye dhe asnjë justifikim që deputetët mos ta miratojnë buxhetin për vitin e ardhshëm.
“Asnjë arsye tjetër nuk ka justifikon neve si deputetë në raport me nevojën e qytetarit dhe sektorit publik e privat. Ata i duan pagat e tyre, i duan të marrin pagat për detyrat dhe punën që e kryejnë për Kosovën. Ne si parlament duhet ta kryejmë detyrën tonë, miratimin e këtij buxheti dhe mos të rrezikojmë bllokimin e vendit”, tha ai.