UBT News

Zyrtarizohet koalicioni me Listën Ideal, Haradinaj: Lushtaku luftëtar i hershëm i UÇK-së

Udhëheqësi i Listës Ideal, Nuredin Lushtaku i është bashkuar zyrtarisht koalicionit parazgjedhor të AAK-së, NISMA-s, Listës Konservatore dhe Forumit Intelektual E-30. Në konferencë për media u tha se Lushtaku ka qenë luftëtar i hershëm i UÇK-së por edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

Kandidati për kryeministër nga radhët e këtij koalicioni, Ramush Haradinaj pas zyrtarizmit të këtij koalicioni tha se në përpjekjet për liri kanë qenë bashkë me Lushtakun.

“E konfirmojmë që koalicionit tonë, pra të Aleancës, të Nismës, Konservator Intelektualëve, i është bashkuar Lista Ideali, e udhëhequr nga gjeneral Nuredin Lushtaku. Një shqiptar i zoti, patriot, një luftëtar i hershëm i UÇK-së, ka mbajtur edhe funksione publike, komandant i gardës në Ushtrinë e Kosovës, ka qenë edhe deputet në një periudhë të caktuar. Njihemi me gjeneralin Nuredin Lushtaku herët, por politikisht nuk kemi bashkë luftuar në kuptimin e jetës politike të tashme por në përpjekjet për çlirim e liri kemi qenë bashkë”, tha ai.

Edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se Lushtaku “ashtu siç ka qenë në luftë pranë ushtarëve, ka vazhduar të jetë krahë qytetarëve të Skenderajt”.

“Është një ditë e rëndësishme për koalicionin, për neve sot. Gjeneral mirëserdhe edhe formalisht dhe besoj që krejt ato që kemi pasur t’i themi i kam thënë në konventë. Ne besojmë shumë në bashkimin e këtyre forcave, të cilat do të bëjnë ndryshimin. Gjeneral Nuredin Lushtaku, siç e tha edhe kryeministri, një njeri i orëve të para, bashkëluftëtar i komandantit legjendar, Adem Jashari, i të gjitha proceseve dhe ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Skenderaj e Kosovë, pastaj në luftën çlirimtare”, u shpreh Limaj.

Udhëheqësi i Listës Ideal, Nuredin Lushtaku theksoi se Kosovën duhet ta udhëheqin njerëzit që kanë dhënë për Kosovën.

“Unë sot e ndjejë vetën shumë mirë që jam në mesin e këtyre dy burrave që kanë kontribuar për vendin qysh prej formimit të UÇK-së e deri në ditët e sotme nuk e kanë ndaluar kontributin asnjëherë, që të kontribuojnë për shtetin e Kosovës. Edhe besoj që do të kalojmë shumë mirë me një bashkëpunim shumë të sinqertë qysh njihemi herët edhe e dimë vlerën e njëri-tjetrit, i dimë hjekat që janë bërë për vendin, gjaku që është derdhur për këtë vend. Dhe mendoj që Kosovës i ka ardhur koha që duhet me u udhëheq njerëzit që kanë dhënë për vendin, e jo njerëzit që kanë gjetur të gatshëm çdo gjë dhe mundohen sot që të shfrytëzojnë njerëzinë dhe shtetin dhe të gjitha”, përfundoi Lushtaku.

Exit mobile version