Në mënyrë ceremoniale, në ambientet e Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, zyrtarisht ka filluar festivali më i madh akademik i dijes “Global UBT Fest 2021”.
Të pranishëm në këtë ceremoni madhështore, ishin rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, profesorë, studentë, dhe të pranishëm të tjerë.
Për dijen, eksperiencat e ekspertëve të fushave të ndryshme dhe energjinë që do të sjellë ky festival, foli rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi. Ai tha se energjia, mesazhi, dija dhe prezantimi që do t’ia bëjë Kosovës ky festival, do të sjellin diçka më ndryshe në muajin korrik, diçka që vetëm UBT di të organizojë.
“Për ne korriku është një muaj shumë i mirë, me një ambient shumë të mirë, duke sjellë një ndërlidhje të dijeve të ndryshme të fushave të jetës, duke e konceptuar si festa e dijes. Do të ketë tema të larmishme, çdo ditë do të ketë shkolla verore, aktivitete, gara, punëtori, koncept talenti, muzikë, art, të gjitha në një muaj për një jetë të lumtur, një jetë pozitive në muajin korrik, në festivalin “Global UBT Fest 2021”, tha rektori Hajrizi.
Për impresionimin e saj për UBT-në, kuadrot profesionale, infrastrukturën moderne dhe studentët e talentuar të UBT-së, foli ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall. Ajo tha se një organizim i tillë madhor siç është “Global UBT Fest 2021”, i kontribuon jashtëzakonisht shumë zhvillimit të dijes dhe inovacionit, dhe që synon përmirësimin e të ardhmes akademike e shoqërore.
E atmosfera nuk ishte asnjëherë e zymtë, pasi që për këtë u përkujdesën studentët e Fakultetit Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT, që i dhanë shije ndryshe dhe energji hapjes së festivalit më të madh akademik të dijes “Global UBT Fest 2021”.
Ky festival do të zgjasë 30 ditë dhe do të sjellë emra të mëdhenj të profesorëve dhe artistëve ndërkombëtarë, të cilët do të zhvillojnë aktivitete të ndryshme, përfshirë këtu forume, samite, gara, workshope e ekspozita të fushave të ndryshme të jetës.