Një zyrtar ukrainas në Mariupol ka thënë për CNN se njësia e fundit e forcave ukrainase në Mariupol – respektivisht në kompleksin e çelikut Azovstal – është goditur nga sulmet ajrore më të rënda ruse deri më tani.
“Mbrëmë, fabrika u godit nga sulmet më të rënda deri më tani. Së pari, pati një sulm ajror masiv duke përdorur shtatë avionë Tu-22M3. Pastaj pati më shumë se 50 sulme ajrore”.
“Bombardimi u shkaktua në vendin ku ndodhen të plagosurit rëndë – në spital”, tha Mykhailo Vershynin, shefi i Policisë të Mariupolit, i cili ishte në Azovstal në mes sulmeve ajrore.
“Ekziston dyshimi se pas publikimit të fotove nga spitali, vendi është identifikuar nga armiku. Dhe aty nuk është bërë vetëm një bombardim, por një bombardim masiv. Ka rrënoja, ka njerëz nën rrënoja. Janë të vdekur dhe të plagosur, domethënë të plagosurit janë plagosur edhe një herë”, tha ai për CNN.
“Kjo është një shkelje e të gjitha normave dhe rregullave të luftës. Kjo është një shkelje e Konventës së Gjenevës”.
CNN nuk mund të konfirmojë në mënyrë të pavarur shtrirjen e sulmeve ajrore ruse dhe as viktimat që ato shkaktuan.
Kujtojmë se një javë më parë, presidenti rus Vladimir Putin tha se nuk kishte nevojë për të sulmuar zonën industriale rreth fabrikës së çelikut Azovstal. Putini i tha Shoigut se zona industriale duhet të mbyllet dhe atyre që mbeten në fabrikë duhet t’u ofrohet edhe një herë të dorëzohen në këmbim të jetës së tyre dhe të kenë një “trajtimi dinjitoz”.
Mbrojtësit e Azovstal kanë refuzuar të heqin dorë nga armët e tyre. Mendohet se ka disa qindra ushtarë ende atje, dhe qindra civilë./UBTNews/