Zyrtarët e Bashkimit Evropian mbrojtën sot vendimin e bllokut për të ndaluar transmetimin e mediave ruse – të kontrolluara nga shteti – në rajon si hapa vendimtar, për të kontrolluar një “luftë informacioni” të udhëhequr nga Kremlini, përcjell UBT News.
Duke folur në Parlamentin Evropian gjatë një debati mbi ndërhyrjen e huaj dhe dezinformimin, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, kundërshtoi kritikët që thonë se BE-ja po kërcënon lirinë e informacionit me ndalimin e Sputnik dhe RT/Russia Today.
“Ato nuk janë media të pavarura, ato janë pronë, janë armë, në ekosistemin e manipulimit të Kremlinit”, u tha Borrell ligjvënësve.
BE ka vendosur të pezullojë aktivitetet e transmetimit të Sputnik dhe RT/Russia Today në bllok derisa Rusia të përfundojë luftën e saj në Ukrainë dhe të ndalojë fushatat e dezinformimit në vendet anëtare.
Borrell tha se mediat e kontrolluara nga Moska janë pjesë e një makinerie propagandistike që ofron lajme të njëanshme për qëllimet e vërteta të Vladimir Putinit./UBTNews/