UBT News

Zyrtarët amerikanë dhe rusë do të diskutojnë sulmet kibernetike

Sulmet kibernetike ndaj bizneseve amerikane, si ai i kohëve të fundit ndaj firmës teknologjike Kaseya në Florida, do të diskutohen në një takim të zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë javën e ardhshme, tha të martën Shtëpia e Bardhë.

“Ne presim që të kemi një takim javën e ardhshme të përqendruar tek sulmet hakeruese që synojnë përfitime monetare”, u tha zëdhënësja Jen Psaki gazetarëve.

Sulmi i së premtes përfshiu të dhënat e qindra bizneseve të vogla në të gjithë botën, shumë prej tyre në Shtetet e Bashkuara. Kompania Kaseya tha në një deklaratë të martën se sulmi megjithatë nuk përbënte një kërcënim për infrastrukturën kritike të Shteteve të Bashkuara. Sulmi kibernetik ishte i fundit në një seri ndërhyrjesh nga hakerat të cilët kanë siguruar para nga mbajtja peng e të dhënave të organizatave në këmbim të pagesave në monedha digjitale.

Megjithëse sulmet kibernetike janë kryer për vite me radhë, ato janë përshkallëzuar në mënyrë dramatike kohët e fundit. Një ndërhyrje në kompaninë Colonial Pipeline në muajin maj bllokoi furnizimet me benzinë në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se presidenti Biden do të takohet me zyrtarë nga Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Shtetit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe komuniteti i inteligjencës të mërkurën për të diskutuar sulmet kibernetike dhe përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për t’i luftuar ato.

Sulmi që goditi klientët e kompanisë Kaseya – shumë prej të cilëve japin shërbime të teknologjisë informatike, – nuk kishte të njëjtin ndikim në Shtetet e Bashkuara si hakerimi ndaj tubacionit të naftës.

Ndërprerja e shërbimeve ishte më e rëndë në vende të tjera.

Në Suedi, shumë nga 800 dyqanet ushqimore që drejtohen nga kompania Coop janë ende në proces të rikuperimit nga sulmi, i cili paralizoi shumicën e supermarketeve të saj, megjithëse një zëdhënës i tha agjencisë Reuters se “aktualisht kemi më shumë dyqane të hapura sesa të mbyllura”.

Exit mobile version